Franca në alarm, mbyllen sërish baret

Parisi ka vendosur të mbyllë të gjitha baret nga e marta ndërsa qeveria franceze ngre alarmin e koronavirusit. Detajet e plota të kufizimeve të reja do të njoftohen gjatë ditës së sotme dhe do të zgjasin për dy javë, njoftoi zyra e Kryeministrit Jean Castex, raporton BBC.

Masat e reja kufizuese në Paris vijnë një javë pas mbylljes së lokaleve në Marsejë.

Niveli maksimal i alarmit në Francë hyn në fuqi kur shkalla e infeksionit në një lokalitet tejkalon 250 për 100,000 njerëz dhe të paktën 30% e shtretërve të kujdesit intensiv janë të rezervuara për pacientët Covid-19.

“Këto masa, të domosdoshme në luftën për të frenuar përhapjen e virusit, do të zbatohen në Paris dhe tre departamentet që e rrethojnë, për një kohëzgjatje prej dy javësh,” shpjegoi zyra e kryeministrit.

Restorantet në qytet do të duhet të vendosin rregullime të reja sanitare në mënyrë që të qëndrojnë të hapura dhe sallat e leksioneve universitare nuk duhet të jenë më shumë se gjysmë të mbushura.

Puna nga shtëpia duhet të ketë përparësi “tani më shumë se kurrë”, thuhet në deklaratë.


Shtuar 5.10.2020 06:48