Greqia është përfshirë në kërcënimet me bomba që ditët e fundit kanë shënjestruar avionë pasagjerësh në vende të ndryshme të Europës.
Alarmi u dha për dy fluturime të Aegean Airlines pas telefonatave që njoftonin për bomba në bord: njëri avion po udhëtonte nga Athina për në Vjenë, ndërsa tjetri nga Selaniku drejt Milanos.
Të lidhura
None found
Asnjëri prej avionëve nuk e ndryshoi itinerarin. Të dy mbërritën dhe u ulën pa probleme në destinacionet e planifikuara. Më pas, pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazheve u nxorën nga avionët, ndërsa autoritetet nisën kontrollet për eksplozivë.
Alarmet në Greqi pasojnë një sërë kërcënimesh në disa shtete europiane. Vetëm të martën, njoftime për bomba morën të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike në pronësi të një kompanie greke.
Deri tani, kontrollet nuk kanë zbuluar objekte të dyshimta. Autoritetet po shqyrtojnë nëse rastet janë të ndërlidhura, ndërkohë që mediat vendase kanë hedhur dyshime për hakerë nga Rusia dhe Irani.







