Truri i Bruce Willis do t’i dhurohet komunitetit shkencor pas vdekjes së aktorit, në mënyrë që studiuesit të avancojnë kërkimet për demencën frontotemporale, sëmundjen neurodegjenerative me të cilën ai po përballet.
Vendimin e ka marrë bashkëshortja e tij, Emma Heming, pasi u këshillua me vajzat e tyre dhe me ish-bashkëshorten e Willis, Demi Moore. Ajo rrëfen për këtë zgjedhje dhe arsyet që qëndrojnë pas saj në librin “The Unexpected Journey” (Një udhëtim i papritur), ku trajton edhe mënyrën si familja po përballet me sëmundjen e aktorit.
Të lidhura
None found
Heming e ka cilësuar vendimin “emocionalisht shkatërrues, por shkencërisht të nevojshëm”. Ajo ka diskutuar për këtë çështje edhe me vajzat Rumer, Scout dhe Tallulah, si dhe me Demi Moore, e cila vazhdon të jetë pjesë e jetës së familjes.
Në libër, Heming e përshkruan dhurimin si një hap të rëndë nga ana emocionale, por me potencial për të ndihmuar shkencën. Analiza e trurit mund t’u japë studiuesve të dhëna mbi ndryshimet që shkakton sëmundja dhe përparimin e saj, me synimin për të zhvilluar trajtime më efektive.
Willis, tashmë 71 vjeç, mori diagnozën e demencës frontotemporale në vitin 2023. Më herët ishte bërë e ditur se ai vuante nga afazia, një çrregullim që ndikon në komunikim. Demenca frontotemporale përparon me kalimin e kohës dhe aktualisht nuk ekziston një kurë që ta ndalojë.
Në janar, Heming zbuloi gjithashtu se aktori vuan nga anosognosia, një çrregullim neurologjik që e pengon personin të kuptojë ose të dallojë plotësisht sëmundjen e vet.
Familja ka folur publikisht për vështirësitë e përditshme që sjell diagnoza. Me dhurimin e trurit pas vdekjes së aktorit, ata synojnë që përvoja e Willis të kontribuojë në studimin e demencës frontotemporale dhe në kërkimin e mundësive të reja për pacientët e tjerë.







