Një problem teknik është pista kryesore për rrëzimin e helikopterit të forcave italiane në Bosnjë, ku humbën jetën katër persona që ndodheshin në bord. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se është herët për një përfundim përfundimtar dhe se zbardhja e shkaqeve mund të kërkojë disa ditë.
Menjëherë pas aksidentit, Ministria italiane e Mbrojtjes u përqendrua te bilanci i viktimave dhe njoftimi i familjarëve, që të mos e merrnin vesh lajmin e rëndë nga mediat italiane ose boshnjake.
Të lidhura
None found
Pilotët u nxorën të gjallë nga helikopteri, ndërsa 11 të plagosur po marrin trajtim mjekësor. Përfaqësues të qeverisë italiane e kanë cilësuar shpëtimin e tyre si “pothuajse një mrekulli”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është hedhur një hipotezë më specifike për aksidentin. Ekspertë të helikopterëve, pasi shqyrtuan një video të publikuar në Facebook nga Bosnja, kanë vënë në dukje se njëri nga dy motorët mund të jetë bllokuar ose mund të ketë ndryshuar drejtimin e rrotullimit.
Pamjet filmike dhe sekuencat e pakta para rrëzimit tregojnë se helikopteri mund të ketë nisur të rrotullohej në mënyrë të pazakontë dhe pa kontroll. Një incident i tillë është i rrallë për CH-47F Chinook, një helikopter i teknologjisë së avancuar, i prodhuar nga Boeing-u amerikan në bashkëpunim me kompaninë italiane Leonardo.
Të dhënat teknike tregojnë se helikopteri, i rrëzuar pasditen e djeshme në Bosnjë, fluturonte në kushte relativisht normale: mot me vranësira dhe erë më të ngadaltë se 5 kilometra në orë. Pra, nuk raportohej për kushte atmosferike të pazakonta apo të vështira.
Informacionet paraprake iu përcollën Romës nga komanda e EUFOR-it, misionit ushtarak evropian për stabilizimin e Bosnjës, i cili këtë vit drejtohet nga Italia.
Jo të gjithë personat që humbën jetën në bord ishin ushtarakë; dy prej tyre ishin pjesë e personelit të Kryqit të Kuq.
Italia ka mbi 200 persona të angazhuar në kuadër të Euroforit, me detyra të ndryshme operacionale në tokë dhe në ajër, përfshirë mbikëqyrjen ajrore dhe inteligjencën ushtarake.





