Interi dhe Milani kanë bërë publike pamjet dhe detajet e stadiumit të ri që planifikohet të ndërtohet në zonën e San Siros. Arena do të ketë 71 mijë e 500 ulëse dhe synon të renditet ndër stadiumet më të veçanta të Evropës falë arkitekturës së saj moderne.
Emri i stadiumit do të jetë “Generali Stadium”, pasi kompania italiane e sigurimeve Generali ka siguruar të drejtat e emërtimit. Projekti është përgatitur nga studiot Foster+Partners dhe MANICA, të drejtuara përkatësisht nga Norman Foster dhe David Manica, të cilët kanë kontribuar edhe në projektimin e versionit të ri të Wembley-t në Londër.
Të lidhura
None found
Prezantimi u zhvillua në Castello Sforzesco të Milanos dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm në një proces që është shoqëruar me diskutime, pengesa dhe rishikime të shumta gjatë më shumë se dhjetë vitesh.
Fasada e stadiumit do të dallohet nga një strukturë në formën e shkronjës “X”, e cila merr frymëzim nga Duomo, katedralja simbol e Milanos. Kjo strukturë do të shërbejë si mbështetje për çatinë me dy harkime të lakuara.
Shkallët e stadiumit do të organizohen në dy nivele dhe do të formojnë një hapësirë të pandërprerë 360-gradëshe, duke ofruar shikueshmëri të mirë nga të gjitha vendet. Në arenën e re do të jenë edhe dy sektorët tradicionalë të tifozëve, “Curva Nord” për mbështetësit e Interit dhe “Curva Sud” për tifozët e Milanit.
Në nëntor të vitit 2025, të dy klubet blenë pronën ku ndodhet stadiumi aktual Giuseppe Meazza. Pavarësisht kësaj, kundërshtimet dhe bllokimet e grumbulluara ndër vite kanë bërë që nisja e projektit të shtyhet përtej afateve të parashikuara fillimisht.
Ndërtimi pritet të fillojë në vitin 2028, ndërsa ndeshja e parë në stadiumin e ri synohet të luhet në sezonin 2031/32. Plani është që impianti të mund të presë edhe takimet e Kampionatit Evropian 2032, turne që Italia do ta organizojë së bashku me Turqinë.
Raportimet bëjnë të ditur se kontrata për të drejtat e emrit me Generali mund të arrijë në 26 milionë euro në vit për 25 vjet. Nëse këto shifra konfirmohen, të ardhurat totale do të shkonin në rreth 650 milionë euro.
Kur të zhvillohen ndeshje në kompeticionet evropiane, stadiumi do të quhet “Milano Stadium”.
Ndërhyrja nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i arenës sportive. Projekti parashikon edhe rigjenerimin urban të një territori prej 281 mijë metrash katrorë, ku do të krijohen hapësira të gjelbra, zona publike, ambiente argëtimi dhe destinacione tregtare.
Pas një pritjeje të gjatë, Interi dhe Milani janë më pranë zbatimit të një plani që synon të transformojë përgjithmonë zonën e San Siros.




