Andin Hoti deklaroi se, nëse hetohet neglizhencë institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia.
Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, të cilën ai e drejton, ka përgjegjësi edhe për Qendrat për Punë Sociale në Kosovë. Hoti tha se institucionet do të ndërmarrin masat e nevojshme, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Të lidhura
None found
Gjatë një tryeze të organizuar nga Forumi Ekonomik i Grave, ministri nënvizoi se rasti duhet të shqyrtohet hollësisht dhe se çdo përgjegjësi e mundshme do të trajtohet sipas ligjit.
“Për atë familje, ju siguroj se do të veprojmë pa kursyer asgjë dhe askënd, brenda kompetencave të institucionit që drejtoj dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Jam i bindur se edhe Qeveria e Kosovës po merr masa, siç e dini nga diskutimet publike. Po hartohen raporte dhe po hetohet rasti, sepse, pavarësisht dhimbjes, duhet ta shqyrtojmë atë në çdo hollësi. Jam i bindur se çdo hallkë zinxhirësh dhe çdo neglizhencë apo përfshirje e qëllimshme do të trajtohet nga institucionet, konform ligjit në fuqi”, tha Hoti.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë afat deri të enjten në orën 18:00 për t’ia dorëzuar raportin kryeministrit Albin Kurti. Raporti është kërkuar për të sqaruar se ku ndodhi dështimi institucional në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.





