Faruk Muqolli, toger i Policisë në rajonin e Pejës, nuk pranoi të komentojë audioincizimet e publikuara nga takimi në zyrën e tij me Arlinda Zekajn, tashmë të ndjerë. Në bisedë, ajo kishte shprehur shqetësim për sigurinë e saj dhe të djalit.
Në regjistrime, Zekaj dëgjohet t’i tregojë policit se ishte e brengosur për gjendjen e të birit dhe për mungesën e reagimit institucional.
Të lidhura
None found
Ajo i tha Muqollit se shëndeti mendor i djalit të saj ishte dëmtuar dhe se, sipas saj, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim.
Gjatë bisedës, Zekaj shprehu frikën se mund të vritej dhe paralajmëroi se zyrtarët do të mbaheshin përgjegjës.
Arta Avidu, gazetare e Dukagjinit, e kontaktoi Muqollin në telefon për të marrë një koment mbi përmbajtjen e audioincizimeve.
Ai nuk iu përgjigj pyetjeve, duke i thënë gazetares se ishte i zënë me punë dhe se po e pengonte.
Muqolli shtoi se për këtë çështje duhej kontaktuar zyra për informim, pasi, siç deklaroi, nuk kishte të drejtë të prononcohej.




