Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë këtë të hënë një seancë të jashtëzakonshme plenare, e cila pritet të nisë në orën 15:00. Deputetët do të trajtojnë vrasjen e një gruaje, të ndodhur të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, si dhe përgjegjësinë e institucioneve, pasi është raportuar se viktima kishte njoftuar autoritetet për dhunë në familje dy orë para ngjarjes.
Për vrasjen dyshohet kunati i viktimës, i cili vazhdon të jetë në arrati. Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ndodhi në shtëpi dhe dyshohet se gruaja u vra me sëpatë.
Të lidhura
None found
Është raportuar gjithashtu se, tri ditë para vrasjes, viktima i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës. Në të, ajo shprehte pakënaqësi ndaj zyrtarëve që po e trajtonin rastin e saj.
Gruaja ishte ankuar edhe për praninë në shtëpi të familjarëve të ish-bashkëshortit, të cilët, sipas pretendimit të saj, po e pengonin të kthehej. Ajo kishte kërkuar ndërhyrjen e Policisë dhe kishte ngritur shqetësimin se nuk po zbatohej vendimi gjyqësor për përkujdesjen ndaj fëmijës së saj.





