Aleanca ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve në çdo nivel institucional që kanë pasur rol në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e vrarë dje në Vitomiricë të Pejës.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se rasti duhet parë jo vetëm si femicid, por edhe si pasojë e dështimit të shtetit dhe të hierarkisë institucionale.
Të lidhura
None found
Ai përmendi në këtë kontekst institucionet e sundimit të ligjit, Policinë dhe qendrat për punë sociale, duke theksuar se mosveprimi i zyrtarëve ka ndikuar në krijimin e kësaj situate. Sipas Tahirit, të gjithë personat përgjegjës duhet të japin llogari, ndërsa Aleanca kërkon shkarkimin e tyre në të gjitha nivelet.
Partia kërkon gjithashtu krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të shqyrtonte rastin e Arlinda Zekajt dhe raste të tjera përmes hetimit parlamentar. Po ashtu, Aleanca ka kërkuar që çështjet me karakter social të trajtohen në mënyrë të veçantë.
Tahiri e cilësoi vrasjen si një akt barbar dhe si dështim të shtetit të Kosovës, duke përfshirë përgjegjësinë e institucioneve të sundimit të ligjit, Policisë dhe qendrave për punë sociale. Ai tha se ata që nuk kanë vepruar, në një formë ose në një tjetër, kanë kontribuar në krijimin e kësaj plage.
Gjatë deklarimit të tij, Tahiri foli edhe për rikthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai bëri të ditur se Aleanca i ka kërkuar Komisionit për Legjislacion që Zyra Ligjore e Kuvendit të përcaktojë procedurat e sakta për miratimin ose amendamentimin e këtij ligji.
Sipas tij, kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar, ndërsa zvarritja e procesit nuk i shërben kauzës kombëtare.





