Pas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku Lista Studentore ka dalë përpara partisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, Ervin Salianji e paraqiti këtë si një sinjal me rëndësi edhe për Shqipërinë. Sipas tij, kryeministri Edi Rama është autokrati i fundit në Ballkan dhe Europë.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji tha se studentët serbë, pas dy vitesh përballjeje, vunë në vështirësi si pushtetin e Vuçiçit, ashtu edhe partitë e vjetra opozitare, të cilat, sipas tij, nuk pranuan të ndryshonin.
Të lidhura
None found
Ai vlerësoi se rezultati dëshmon se nismat qytetare mund të nxisin ndryshime politike. Ndërsa partitë që synojnë të ruajnë pozitat e tyre, argumentoi Salianji, mund të humbasin besimin e qytetarëve.
Duke bërë një paralele me protestat studentore në Shqipëri, ai u shpreh se asnjë pushtet nuk zgjat përgjithmonë dhe se mobilizimi qytetar dhe kërkesa për alternativa të reja mund të sjellin ndryshim politik.
Reagimi i plotë:
Pas dy vitesh përballjeje, lëvizja studentore në Serbi i dha goditjen vendimtare pushtetit të Aleksandar Vuçiçit dhe e çoi atë në opozitë. Studentët sfiduan edhe partitë tradicionale opozitare, të cilat nuk pranuan të reformoheshin. Forcat opozitare u larguan nga skena politike dhe u kthyen në relike të historisë!
Mesazhi është i qartë: reagimi qytetar shpërblehet, autokracitë bien, partitë që luftojnë për të mbrojtur karriget zhduken nga harta politike, ndërsa alternativat sjellin ndryshimin.
Aleksandar Vuçiç është autokrati i parafundit që largohet. Edi Rama është i fundit në Ballkan dhe Europë!
Asnjë pushtet nuk zgjat përgjithmonë. Asnjë autokraci nuk është e pathyeshme. Kur qytetarët ngrihen dhe opozita e vjetër humbet besimin e tyre, ndryshimi bëhet i pashmangshëm.
Fundi i Ramës është më afër se kurrë!






