Hetim në Greqi ndaj “Horiatiko” dhe “Pizza Fan” për miliona euro evazion fiskal

Autoritetet greke kanë zbuluar brenda pak ditësh dy skema të mëdha të dyshuara për evazion fiskal, të lidhura me rrjete të njohura që realizojnë xhiro në miliona euro. Në hetim janë përfshirë furrat e bukës “Horiatiko” dhe piceritë “Pizza Fan”, drejtuesit e të cilave dyshohet se nuk i kanë derdhur në shtet paratë e TVSH-së të paguara nga klientët.

Sipas rasteve të hetuara, njëra skemë mbështetej te përdorimi i administratorëve fiktivë, ndërsa tjetra te regjistrimi i shitjeve të paguara si produkte të ofruara falas.

Të lidhura

None found

Policia greke arrestoi sot pronarin e furrave “Horiatiko”, së bashku me një kontabilist që dyshohet se kishte organizuar mekanizmin e shmangies së detyrimeve. Televizioni publik grek ERT raportoi se numri i personave të arrestuar ka kaluar 50, ndërsa kontrollet janë shtrirë në qindra biznese.

Hetuesit dyshojnë se në drejtimin formal të kompanive vendoseshin individë që figuronin në dokumente si administratorë, edhe pse nuk ishin personat që kontrollonin realisht aktivitetin. Ndërkohë, bizneset vazhdonin punën, kryenin shitje dhe grumbullonin detyrime për taksat dhe sigurimet shoqërore.

Kur detyrimet mbeteshin të papaguara, kompanitë liheshin me borxhet e krijuara dhe aktiviteti zhvendosej te shoqëri të reja. Kështu, shteti u drejtohej personave të regjistruar në dokumente për të kërkuar pagesat, ndërsa drejtuesit faktikë qëndronin të fshehur.

Vlerësimet e para e vendosin dëmin dhe detyrimet e papaguara në rreth 100 milionë euro. Në këtë shumë përfshihen edhe kontributet e sigurimeve shoqërore, si dhe aktivitetet e tjera të pronarit, përtej rrjetit të furrave.

Rasti i “Pizza Fan” lidhet me një mënyrë tjetër funksionimi dhe dëmi fillestar i dyshuar nga TVSH-ja e paderdhur llogaritet në të paktën 25 milionë euro.

Sipas hetimeve, klientët porosisnin picat dhe i paguanin me para në dorë, por pagesat nuk regjistroheshin domosdoshmërisht si shitje. Një program kompjuterik mundësonte që porosia të shënohej si “qerasje”.

Si rezultat, edhe pse produkti ishte paguar, në regjistrat tatimorë ai paraqitej sikur ishte dhënë falas. Shitja nuk deklarohej dhe TVSH-ja e përfshirë në çmim nuk i kalonte shtetit. Hetuesit thonë se kjo praktikë zbatohej për një pjesë të porosive të paguara me cash.

“Pizza Fan” e kundërshton këtë përshkrim të ngjarjeve. Kompania argumenton se ofertat e shumta, ku përfshiheshin produkte falas, mund të kenë shkaktuar paqartësi gjatë përllogaritjes së xhiros dhe shprehet e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë.

Autoritetet po vijojnë hetimet në të dyja dosjet. Në njërën prej tyre po gjurmohen borxhet e mbetura te kompanitë që figuronin në dokumente, ndërsa në tjetrën po hetohen shitjet që dyshohet se janë fshirë ose zhdukur nga sistemi kompjuterik.

Ndërprerja e shërbimit të “Pizza Fan” ka shtuar pasigurinë për më shumë se 2.500 punonjësit e rrjetit. Kompania deklaron se synon të rihapë sa më shpejt dyqanet dhe të ruajë vendet e punës. Hetimet për të dyja çështjet do të përcaktojnë shumën që i mungon shtetit dhe personat përgjegjës.


Shtuar më 25.10.2026 21:24