Një përplasje mes disa të rinjve në Korçë ka përfunduar me plagosjen e një 19-vjeçari me thikë. Ngjarja u shënua pasditen e kësaj të diele, në lagjen nr. 11 të qytetit.
I riu me inicialet M. A. ka marrë një goditje me thikë në pjesën e kofshës, gjatë konfliktit.
Të lidhura
None found
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ndërhyrë dhe kanë mundur të kapin të dyshuarin, 23-vjeçarin me inicialet R. I.
Kontrollet dhe verifikimet e kryera kanë zbuluar se 23-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të cilën dyshohet se e kishte shkelur kur doli dhe u përfshi në konflikt.
Gjatë kontrollit fizik, policia i ka gjetur gjithashtu një sasi të dyshuar lënde narkotike kanabis sativa.
19-vjeçari është dërguar për mjekim në Spitalin Rajonal të Korçës. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe ai nuk është në rrezik për jetën.
Ndërkohë, vijojnë veprimet procedurale për arrestimin e 23-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e plota të konfliktit.







