Serbia mbajti sot zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike dhe mes pritshmërive për ndryshime. Sipas raportimeve, pjesëmarrja e qytetarëve ishte e lartë; analistët vlerësojnë se ajo mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe të ardhmen politike të vendit. Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë përmes një liste të përbashkët, ndërsa dalja e tyre në votime shihet si e rëndësishme për numrin e mandateve që mund të fitojnë në Parlament.
Të drejtë vote kanë më shumë se 6 milionë e 450 mijë qytetarë, kurse 18 lista zgjedhore garojnë për 250 ulëset e Parlamentit të Serbisë.
Të lidhura
None found
Zgjedhjet po zhvillohen pas një periudhe pakënaqësish dhe protestash të udhëhequra nga studentët kundër pushtetit shumëvjeçar të Aleksandar Vuçiqit.
Analisti politik Dorajet Imeri e konsideron mobilizimin e gjerë të qytetarëve një faktor që mund t’u japë këtyre zgjedhjeve rëndësi të veçantë për të ardhmen e Serbisë. Sipas tij, mundësia për ndryshim politik ose ndryshim të kursit të vendit është e madhe, e nxitur nga pjesëmarrja masive dhe mobilizimi i shoqërisë për ndryshimin e regjimit politik.
Përveç garës mes pushtetit dhe opozitës, vëmendje ka marrë edhe vota e komuniteteve pakicë, përfshirë atë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Imeri thekson se pjesëmarrja e shqiptarëve ka rëndësi si për numrin e mandateve që mund të fitojnë, ashtu edhe për ndikimin e përfaqësuesve të tyre në përbërjen e ardhshme të Parlamentit.
Ai vlerëson se sa më shumë shqiptarë të votojnë, aq më shumë kjo mund të reflektohet në mandatet që do të sigurohen në Parlamentin e Serbisë. Nëse gara mes kampeve politike përfundon me rezultat të ngushtë, shtoi Imeri, pakicat mund të kenë rol përcaktues në formimin e qeverisë.
Subjektet shqiptare u bashkuan në një listë pas marrëveshjes së arritur në fund të shtatorit në Prishtinë, me ndërmjetësimin e kryeministrit Kurti.
Në zgjedhjet e vitit 2020, partitë shqiptare garuan të bashkuara dhe siguruan tri ulëse në Parlamentin e Serbisë. Këtë herë synojnë të shtojnë përfaqësimin dhe të trajtojnë çështjet që prekin shqiptarët e Luginës, mes tyre pasivizimin e adresave, arsimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.






