Zbulohen 200 mijë euro të padeklaruara në automjetin e një shtetasi hungarez në Tabanoc

Autoritetet doganore njoftuan se në pikën kufitare të Tabanocit, një shtetas hungarez u kap me 200.000 euro që dyshohet se po përpiqej t’i fuste në Maqedoninë e Veriut pa i deklaruar.

Automjeti u ndal për kontroll pas ngritjes së dyshimeve. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në një çantë të zezë prej pëlhure, të vendosur mes ulëseve pranë levës së marsheve, u gjetën 65.000 euro, raportoi portali Lideri.mk.

Të lidhura

None found

Kontrolli vijoi në pjesën e pasme të automjetit, ku nën një kompjuter, brenda një çante shpine, u gjet një çantë e vogël e zezë me 37.650 euro.

Ndërsa në një valixhe tjetër, të vendosur po në ulësen e pasme dhe mes rrobave, u zbulua një çantë e zezë që përmbante 97.350 euro.

Prej 200.000 eurove të padeklaruara, pasagjerit iu kthyen 10.000 euro, sipas Ligjit për operacionet valutore. Dogana mbajti 190.000 euro dhe lëshoi dëshmi për mbajtjen e mjeteve financiare.

Drejtoria e Doganave bëri të ditur se ndaj personit është paraqitur kallëzim përkatës për kundërvajtje.


Shtuar më 25.10.2026 17:40