Protesta e 13-të studentore në Tiranë u shoqërua me tensione, pasi demonstruesit u përballën me efektivët e Policisë së Shtetit dhe i akuzuan për dhunën ndaj protestuesve gjatë ditëve të fundit.
Protestuesit shprehën zemërimin për plagosjen e disa të rinjve gjatë ndërhyrjeve policore dhe kritikuan përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.
Të lidhura
None found
Njëri prej tyre iu referua edhe shpërblimit prej 2500 eurosh të premtuar nga kryeministri Edi Rama. Ai akuzoi policët se kishin mbështetur qeverinë, në vend që të mbronin qytetarët.
“Keni zgjedhur anën e turpit dhe të 2500 eurove. T’ju vijë turp! As në stadiumet e grekut, serbit dhe maqedonasit nuk na e kanë bërë atë që ua keni bërë ju të rinjve”, u tha protestuesi efektivëve. Ai shtoi: “Shpresoj të mos ketë viktima”.
Gjatë protestave të ditëve të fundit janë shënuar incidente të rënda dhe disa pjesëmarrës kanë mbetur të lënduar nga ndërhyrjet e forcave të rendit.
Reagime të shumta ka nxitur rasti i Erjon Vishkullit, 28 vjeç, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit. Ai është nisur për në Itali, ku do të marrë trajtim të specializuar, me shpresën se do të shpëtojë shikimin.
Kryeministri Rama ka paralajmëruar ndryshime në ligj, me masa më të rënda për personat që ushtrojnë dhunë gjatë protestave. Studentët dhe aktivistët i kanë kundërshtuar propozimet.
Protesta kundër qeverisë vijon në kryeqytet. Përplasjet verbale mes demonstruesve dhe policisë pasqyrojnë shtimin e tensioneve pas ngjarjeve të fundit.






