Fundjava solli kushte të përkryera për futboll. Në Kampionatin Nacional, në Hajvali, Prishtina e pamposhtur deri në atë pikë u përball me Dritën, që vinte pas dy triumfesh radhazi.
Plisat u vendosën në tribunën prapa portës, ndërsa tribuna perëndimore ishte gati e mbushur. Prishtinës i mungonin dyshja Valmir Veliu dhe Mario Ilievski, të cilët ende nuk ishin rikuperuar nga lëndimet, një mungesë e rëndësishme për skuadrën kryeqytetase.
Të lidhura
None found
Skuadrat dolën në fushë mes duartrokitjeve. Vëmendjen e tërhoqën edhe kapitenët: Leotrim Kryeziu i Prishtinës, i cili ishte rritur te Drita deri në ekipin e parë, dhe Besnik Krasniqi i Dritës, që ishte formuar te Prishtina e kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit në periudha të ndryshme.
Para ndeshjes, Plisat shpalosën një pankartë për tifozët e Dritës. Ajo i referohej drejtorit sportiv të klubit, Valon Zymberi, dhe përplasjeve të tij me tifozët.
Prishtina e nisi me një rast të rrezikshëm, kur Arijanit Fazlija goditi shtyllën, por më pas skuadra thuajse nuk prodhoi lojë. Drita ishte më e mirë në duele, në ajër, në krijimin e rasteve dhe në shënim. Prishtinasve u mbeti kryesisht qarkullimi i topit, me Artan Iljazin që ia pasonte Zguros, Zguro që ia kthente Iljazit dhe ky i fundit që kërkonte Poçin. Drita, ndërkaq, sulmonte përmes Igball Jasharit, të cilit i mungonte finalizimi; në disa momente, ai nuk u koordinua as me bashkëlojtarët.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Blerim Krasniqi u ngrit më lart se të tjerët pas një harkimi nga këndi dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Drita kaloi në avantazh, ndërsa Prishtina nuk shfaqte ndonjë plan të qartë për të reaguar. Pas pushimit, ndeshja vazhdoi me të njëjtën pamje: Prishtina përpiqej ta niste aksionin nga mbrojtja, kurse Drita luante më drejtpërdrejt, me pasime të shpejta dhe fitonte pothuajse çdo top të kontestuar.
Në minutën e 60-të, Poçi u lëndua. Pa e trajtuar mjekësisht, gjyqtari Genc Nuza e nxori për një minutë jashtë fushës. Prishtina humbi topin në mesfushë me Leotrim Kryeziun, Jashari gjeti me pasim Liridon Balajn dhe ky shënoi bukur për 2-0. Orges Shehi reagoi me disa zëvendësime për ta ndryshuar lojën e ekipit, por Rin Ahmeti dhe Sylian Mokono nuk arritën t’i jepnin ritëm tjetër skuadrës.
Në minutën e 84-t, Kemehlo Nguena realizoi një gol të bukur dhe e mbylli çdo paqartësi për fituesin. Pas këtij realizimi, edhe tribunat nisën të zbrazen. Dhjetë minuta para fundit, disa tifozë të Prishtinës, që kishin ardhur për ta përkrahur ekipin me besimin e krijuar nga forma e javëve të fundit, filluan të largoheshin.
Drita pati mundësi edhe t’i marrë pezullimet me kartonë. Në minutën e 75-të, pas një zëvendësimi të skuadrës, Raddy Ovouka reagoi ndaj gjyqtarit dhe u ndëshkua me të verdhë. Ishte kartoni i tij i katërt këtë sezon, prandaj do të mungojë në takimin e ardhshëm. Pas golit për 3-0, edhe Bleron Sheji bëri të njëjtën gjë: qëndroi në fushën e Prishtinës dhe priti ndëshkimin nga Nuza, që ishte po ashtu i katërti për të këtë sezon.
Edhe Besnik Krasniqi dukej se e kishte në mendje kartonin e katërt. Ai bëri disa gjeste të vogla josportive, por Nuza nuk e ndëshkoi, ndonëse kapiteni i Dritës dukej se do ta pranonte me dëshirë një karton të tillë. Kështu, Ovouka dhe Sheji do të pushojnë në xhiron e ardhshme, kur Drita do të luajë me Vushtrrinë. Ky klub, me problemet e veta dhe moszhvillimin e ndeshjes ndaj Ballkanit këtë fundjavë, na ktheu dhjetë vjet prapa.
Para këtij takimi, Prishtina kishte krijuar përshtypjen e një skuadre në garë për titull. Por Drita ia ndërpreu hovin, si në luftën për kreun, ashtu edhe në fushë, ku nuk e la të gjente qetësi në asnjë zonë.
Merita të veçanta pati Besnik Krasniqi. Pavarësisht se është 36 vjeç, ai ishte futbollisti më i mirë në fushë. Prishtina ndërroi disa herë lojtarët e krahëve për ta ndalur, por pa rezultat. Paraqitje të mira patën edhe Albert Dabiqaj, Vesel Limaj, Liridon Balaj dhe Blerim Krasniqi, ndërsa Nguena tregoi pjekuri taktike si në fazën sulmuese, ashtu edhe në mbrojtje.
Pas ndeshjes u larguam nga stadiumi bashkë me një mik nga Gjilani, i cili natyrisht ishte i kënaqur me fitoren. Prej javësh ai na thoshte se Drita do të fitonte. U nisëm nëpër rrugët e ngushta të Hajvalisë, stadiumin ku banorët e Prishtinës po detyrohen të shkojnë shpesh, pasi bari i “Fadil Vokrrit” po ruhet për ndeshjen me Izraelin, që zhvillohet muajin e ardhshëm.
“Vetëm dy ndeshje këtë sezon i kemi zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’”, tha trajneri i Prishtinës, Orges Shehi, duke theksuar se klubi kryeqytetas ka nevojë t’i luajë ndeshjet në stadiumin e vet. Për banorët e kryeqytetit, duke pasur parasysh zakonet e tyre, edhe Hajvalia duket larg. Sidoqoftë, mbi 1.500 shikues e panë sot paraqitjen mbresëlënëse të Dritës.
Tani gara është e hapur: Malisheva kryeson, Prishtina renditet e dyta, ndërsa Drita po afrohet me hapa të mëdhenj.






