Berisha paralajmëron shkrirjen e “Shqiponjave” dhe RENEA-s: Nuk i njohim masat e Ramës, padrinos do t’i japim atë që meriton

Në një bashkëbisedim me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se strukturat policore “Shqiponjat” dhe RENEA do të shpërbëhen.

Ai tha se efektivët që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë revoltës studentore, do të ndiqen penalisht.

Të lidhura

None found

Berisha tha se opozita ka depozituar kallëzime, ku punonjësit e policisë përmenden me emër dhe se identitetet e tyre do të publikohen.

Ai i akuzoi strukturat speciale për veprime të paligjshme gjatë protestave dhe paralajmëroi përgjegjësi individuale për shkeljet e pretenduara.

Berisha përsëriti deklarimin që tha se kishte bërë edhe mbrëmë: “Shqiponjat” dhe RENEA, të cilat i quajti “famëzeza”, jo vetëm do të shkrihen, por efektivët e tyre do të përgjigjen një për një, sipas veprave penale. Ai garantoi se ata do të shkojnë aty ku, sipas tij, e meritojnë për krimet që kanë kryer.

Kreu demokrat reagoi edhe ndaj paketës së re ligjore të paraqitur nga kryeministri Edi Rama, e cila parashikon gjoba dhe masa më të ashpra për pjesëmarrësit në protesta të dhunshme. Berisha i quajti propozimet diktatoriale dhe deklaroi se opozita nuk do t’i njohë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos i pranojnë masat dhe të ngrihen “dhëmb për dhëmb” kundër Ramës, të cilin e quajti “Edvin Kristaq xhelati” dhe “padrino i vendit”, për t’i dhënë, siç u shpreh, atë që meriton. Berisha tha se asnjë ligj apo forcë nuk mund ta pengojë Partinë Demokratike të përmbushë misionin e saj: largimin e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Këto kërkesa ai i cilësoi të fuqishme e të drejta dhe i lidhi me revoltën studentore.


Shtuar më 25.10.2026 13:50