SHBA: Dialogu strategjik me Kosovën rifillon pas përmbushjes së detyrimeve ndaj komunitetit serb

Uashingtoni e lidh rikthimin e dialogut strategjik me Kosovën me krijimin e kushteve të përshtatshme, përfshirë zbatimin e angazhimeve të Prishtinës ndaj serbëve të Kosovës. Deri tani, Qeveria dhe Presidenca nuk kanë bërë publike masat që synojnë zhbllokimin e procesit, ndërsa opozita kërkon veprime konkrete nga qeveria e re.

Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës u pezullua për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025. Vendimi erdhi pas shqetësimeve amerikane për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë, e drejtuar nga Kurti.

Të lidhura

None found

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, në një përgjigje me shkrim për kp, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën. Megjithatë, ai ka theksuar se para nisjes së diskutimeve për rikthimin e dialogut duhet të krijohen rrethana të përshtatshme, të lidhura edhe me komunitetin serb në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA-Kosovë në shtator 2025 për shkak të shqetësimeve mbi veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë. Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Ne presim me padurim të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën kur kushtet të jenë të përshtatshme, duke përfshirë përmbushjen e angazhimeve të saj nga Kosova në lidhje me serbët e Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësi i Ambasadës Amerikane.

Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, barra kryesore për hapjen e rrugës drejt rifillimit të dialogut i takon Qeverisë. Ata presin që ekzekutivi të dëshmojë rezultate të matshme dhe të ndërmarrë hapa konkretë, ndërsa rolin e presidentes e shohin si mbështetës dhe plotësues.

Lutfi Haziri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar se Qeveria duhet të tregojë rezultate konkrete në mënyrë që procesi të zhbllokohet. Ai ka pranuar se presidentja Justina Shiroka-Pula mund të ketë rol në këtë çështje, por ka nënvizuar se përgjegjësia kryesore buron nga veprimet e Qeverisë.

“Presidentja mund ta ketë një lloj roli, por dialogu strategjik me SHBA-në është dhe ka mbetur problem i Qeverisë, për shkak të sjelljes që Qeveria ka vendosur. Ky suspendim i përkohshëm dhe Qeveria duhet të demonstrojë rezultate të prekshme për me e zhblloku. Sekretari Rubio dhe mekanizmat e State Department-it janë shumë të qartë dhe zhbllokimi dhe normalizimi drejt një arritjeje të këtij qëllimi realisht duhet të garantohet nga ana e Qeverisë. Presidentja mund të ketë një rol dhe të tjerët kanë një rol, por burimi i saj ka qenë Qeveria dhe Qeveria duhet të jetë zhbllokuese”, ka deklaruar Haziri.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në si të domosdoshëm. Sipas tij, për këtë nevojitet një angazhim më i gjerë institucional, ku rol të drejtpërdrejtë duhet të ketë Qeveria.

“Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është domosdoshmëri të kthehet, të fillojë realisht, sepse nuk ka qenë i filluar. Dhe në të njëjtën kohë, kjo nënkupton një qasje shumë më gjithëpërfshirëse institucionale, e mbi të gjitha të Qeverisë. Unë nuk shoh rol konkret vendimtar të nivelit të presidentes në këtë rast, sepse kjo lidhet direkt në esencë me sjelljen edhe veprimet e Qeverisë”, thekson ai.

Dialogu strategjik Kosovë-SHBA është konceptuar për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, tregti, mbrojtje, siguri, energji, infrastrukturë, teknologji dhe siguri kibernetike. Përmes këtij mekanizmi synohet gjithashtu forcimi i marrëdhënieve diplomatike dhe bashkërendimi për çështje që lidhen me paqen dhe stabilitetin në rajon.


Shtuar më 25.10.2026 13:22