Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli, momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.
Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.
Të lidhura
None found
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë.
Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.
“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.
Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar.
Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.
Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.
“Vetëm fitore”, thotë ai.
Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?
“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën.






