Edhe unë do të zemërohesha”, Alvarez u kërkon ndjesë tifozëve pas deklaratës për Barcelonën

Julian Alvarez vendosi fitoren e Atletico Madridit me rezultatin 1-0 ndaj Deportivo La Corunas të shtunën dhe pas ndeshjes kërkoi falje për komentet se dëshiron të luajë për Barcelonën.

Me golin e shënuar për të dytën ndeshje radhazi, sulmuesi argjentinas ndihmoi Atletico të afrohej në dy pikë nga Barcelona, kryesuese e La Ligës. Më pas, ai iu kthye deklaratës që kishte ndikuar në marrëdhënien e tij me tifozët madrilenë.

Të lidhura

None found

Në një prononcim për televizionin spanjoll Movistar Plus, Alvarez u kërkoi ndjesë tifozëve për fjalët e thëna gjatë Kupës së Botës, duke pranuar se kishte gabuar si në mënyrën e shprehjes, ashtu edhe në kohën kur e bëri deklaratën.

Ai tha se e kupton zemërimin e tifozëve dhe se, po të ishte në vendin e tyre, do të ndihej po njësoj, veçanërisht duke marrë parasysh mbështetjen që i kanë dhënë që prej ardhjes së tij.

Gjatë Kupës së Botës 2026, Alvarez kishte shprehur dëshirën për të përmbushur ëndrrën e tij dhe për të luajtur te Barcelona. Deklarata hapi debat për të ardhmen e tij, i cili vijoi gjatë përgatitjeve dhe afatit kalimtar të verës, kur Atletico nuk pranoi ta shiste te rivali i saj.

Këtë sezon, tifozët vendas e kanë pritur disa herë me vërshëllima. Megjithatë, pas golit ndaj Deportivo La Corunas, disa prej tyre u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën.

Alvarez shprehu shpresën se mund ta përmirësojë situatën përmes punës së palodhur dhe përulësisë. Ai shtoi se është ndier më mirë në ndeshjet e fundit, si fizikisht, ashtu edhe në lojën me topin, dhe se synon të ndihmojë ekipin duke dhënë maksimumin.

Atletico është e dyta në renditje me 25 pikë. Real Madridi, i treti me 21 pikë, do të luajë të dielën ndaj Barcelonës në Camp Nou, në El Clasicon e parë të këtij sezoni.


Shtuar më 25.10.2026 10:48