Rezidenca malore e Adolf Hitlerit në Bavari, e njohur me emrin “Foleja e Shqiponjës”, është përfshirë nga një zjarr i fuqishëm që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesën historike.
Policia gjermane ka ndaluar një 33-vjeçar, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me shpërthimin e zjarrit.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në ndërtesën Kehlsteinhaus, e ndërtuar në majën e malit Obersalzberg, 1,834 metra mbi nivelin e detit. Për shuarjen e flakëve u mobilizuan rreth 200 zjarrfikës.
Sinjali i alarmit u dha rreth orës 21:15, ndërsa shërbimet e emergjencës arritën në vend rreth orës 21:50. Në atë moment, objekti ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Sipas të dhënave zyrtare, nuk ka persona të lënduar.

Operacioni për neutralizimin e flakëve u komplikua nga pozicioni i lartë i ndërtesës, erërat e forta dhe moti i keq. Gjatë natës, shiu u kthye në borën e parë të vitit. Zjarri vazhdoi të digjej për disa orë, ndërsa tymi ishte ende i dukshëm nga objekti edhe mëngjesin e së shtunës.
Hetuesit, sipas raportimeve të mediave gjermane, po shqyrtojnë mundësinë që zjarri të jetë vënë qëllimisht. I dyshuari është një shtetas gjerman 33-vjeçar, me lidhje me zonën, por që nuk jetonte aty. Ai dyshohet gjithashtu se përballet me probleme të shëndetit mendor dhe, pas marrjes në pyetje, po dërgohej në një strukturë psikiatrike.
Hetimi mbetet në zhvillim dhe autoritetet po analizojnë edhe mundësinë e një motivi politik. Deri në këtë fazë, nuk janë gjetur prova që të përfshijnë persona të tjerë në ngjarje.
“Foleja e Shqiponjës” u ngrit nga nazistët gjatë periudhës 1937-1938 dhe u përurua zyrtarisht nga Adolf Hitleri në ditëlindjen e tij, në vitin 1939. Ajo ishte ndër monumentet e pakta të epokës naziste që i shpëtuan dëmtimeve.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, objekti u shndërrua në një pikë historike kushtuar dokumentimit të periudhës së Rajhut të Tretë. Që nga viti 1952, në të funksionojnë një ekspozitë për historinë naziste dhe një restorant.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, tha se ndërtesa do të restaurohet pas konsultimeve me autoritetet vendore, historianët dhe specialistët e konservimit.
“Ne nuk do të lëmë atje një rrënojë”, deklaroi Herrmann, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të punës për ruajtjen dhe përkujtimin e historisë.







