Tetova analizon barazimin me Elbasanin: Na mungoi shpejtësia dhe agresiviteti në sulm

Teuta nuk arriti të vijonte serinë prej 6 fitoresh radhazi në Superiore, pasi në javën e 8-të u ndal në barazimin pa gola, 0-0, ndaj Elbasanit. Pas ndeshjes, trajneri durrsak Edlir Tetova shpjegoi faktorët që, sipas tij, penguan skuadrën të merrte 3 pikët.

Tetova vlerësoi se problemi kryesor lidhej me ritmin e qarkullimit të topit. Sipas tij, Teuta duhej të lëvizte më shpejt lojën nga njëri krah në tjetrin, ndërsa vendosja e ngjeshur e Elbasanit në gjysmëfushën e vet e vështirësoi zbatimin e manovrave të ekipit.

Të lidhura

None found

“Mendoj se na mungoi shpejtësia në pasim. Duhej të bënim më shumë kalime stacioni për ta zhvendosur lojën nga një krah te tjetri. Fakti që Elbasani u mbrojt i ngjeshur në gjysmëfushën e tij ndikoi që të mos realizonim manovrat tona”, u shpreh trajneri i Teutës.

Ai pranoi gjithashtu se skuadra e tij nuk pati agresivitetin e nevojshëm në fazën sulmuese, veçanërisht në momentet kur humbte topin në zonat e avancuara. Ndërkohë, për paraqitjen në mbrojtje Tetova tha se ishte i kënaqur, sidomos për mënyrën se si u përballuan topat e dërguar nga Elbasani drejt zonës së Teutës.

“E humbëm topin në zonat e sulmit dhe mendoj se aty na mungoi agresiviteti. Sa i përket mbrojtjes, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si reaguam ndaj topave të Elbasanit drejt zonës sonë. Mbrojtja jonë ishte shumë agresive për ta fituar topin, por duhet të jemi edhe më vigjilentë për ta rifituar atë”, deklaroi Edlir Tetova.


Shtuar më 24.10.2026 21:18