Pas dy sukseseve radhazi në kampionat, Tirana pësoi humbje 0-2 përballë Vllaznisë në Shkodër. Bardheblutë vijojnë të renditen në vendin e 4-t me 11 pikë.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, pranoi se Vllaznia ishte skuadra më e mirë në fushë dhe e meritoi fitoren. Ai theksoi se ekipi i tij pati disa raste për të shënuar, por nuk arriti t’i konkretizonte.
Të lidhura
None found
“Dua të përgëzoj Vllazninë, pasi ishte ekipi më i mirë në fushë. Ne krijuam mundësi, por na mungoi finalizimi dhe nuk arritëm të shënonim”, u shpreh Klafuriç.
Tekniku kroat nuk e fshehu pakënaqësinë për mënyrën se si luajti Tirana, veçanërisht në pjesën e parë, ku sipas tij u bënë shumë gabime trashanike dhe skuadra nuk pati kontrollin e duhur të topit.
“Nuk jam shumë i kënaqur me lojën tonë. Në pjesën e parë bëmë shumë gabime trashanike dhe nuk e mbajtëm topin siç duhet. Këto ishin arsyet që sollën humbjen e sotme”, deklaroi ai.
Klafuriç shtoi se goli i Vllaznisë i dha më shumë besim skuadrës shkodrane, ndërsa Tirana nuk arriti të reagonte as në fraksionin e dytë të lojës.
“Pasi shënoi, Vllaznia fitoi më shumë kurajo. Edhe në pjesën e dytë ne nuk shënuam. Nuk ka kuptim të komentosh gjatë, sepse ndeshja tashmë ka përfunduar. Nuk ishim në nivelin e duhur për të treguar cilësitë tona”, përfundoi trajneri i Tiranës.





