Teuta kryesuese nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Elbasanit në javën e 8-të të Abissnet Superiore. Sfida përfundoi 0-0, ndërsa pas ndeshjes trajneri i verdhebluve, Glen Daja, foli për mediat në debutimin e tij në stolin e ekipit.
Daja theksoi se skuadra e tij kishte udhëtuar drejt Durrësit me synimin për të fituar, por pranoi se takimi mori një rrjedhë tjetër. Sipas tij, Elbasani pati mundësitë më të pastra për të shënuar.
Të lidhura
None found
“E kishim deklaruar se do të shkonim në Durrës vetëm për fitore, por futbolli sjell gjithmonë zhvillime të ndryshme. Teuta e kishte përgatitur ndeshjen në një mënyrë tjetër dhe ne u përpoqëm të jepnim maksimumin. Në disa momente e ngjitëm edhe Lleshin në rolin e ‘6’, ndërsa rastet më të pastra për gol i patëm ne.
Plani ynë ishte që aksionet të nisnin nga poshtë, por Teuta na surprizoi me mënyrën e saj të lojës. Ata hodhën në fushë një presing ultra-ofensiv. Kur përpiqeshim të ndërtonim, synonim të krijonim çifte në krahë, por pasi Teuta kaloi me 4 lojtarë, nuk mund të bënim ndryshime, sepse kishim 3 qendërmbrojtës të mirëfilltë.
Lojtarët më zbatuan shumë mirë kërkesat taktike. Meritat u takojnë ekipit dhe stafit, pasi unë kam vetëm 3 ditë këtu. Gjatë kësaj kohe, skuadra ka qenë e përqendruar maksimalisht dhe ka punuar me shumë vëmendje për aspektin taktik.
Mua më pëlqen që ekipet e mia të luajnë më shumë në fazën ofensive. Besoj se do ta shohim këtë, por jo shumë shpesh”, u shpreh Glen Daja.




