Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit të Përgjithshëm dhe Divizionit për Çështje Penale, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve: T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H. dhe B.E. Të gjithë do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik. Masa u vendos nga gjyqtarja e procedurës paraprake pas zhvillimit të seancës dëgjimore.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi është konsideruar i nevojshëm për shkak të rrezikut të arratisjes së të pandehurve. Tre prej tyre janë shtetas gjermanë, ndërsa udhëtimet e shpeshta jashtë vendit janë vlerësuar si rrethanë që e përforcon këtë rrezik.
Të lidhura
None found
Një tjetër arsye lidhet me mundësinë që të dyshuarit të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, duke fshehur, ndryshuar ose shkatërruar prova materiale, si dhe duke ushtruar ndikim mbi të dëmtuarit, dëshmitarët apo bashkëpjesëmarrësit.
Dyshimi i bazuar i autoriteteve është se, nga viti 2026 deri më 23 tetor 2026, në lokacione të ndryshme në Prishtinë të përdorura si qendra thirrjesh, të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të bashkërenduar. Secili prej tyre dyshohet se kishte rol të caktuar në skemën për përfitimin e kundërligjshëm të pasurisë.
Komunikata bën të ditur se të dyshuarit paraqisnin informacione të rreme, i bindnin shtetas të huaj të kryenin veprime që dëmtonin pasurinë e tyre dhe prezantoheshin si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare.






