Flick mund t’i japë shansin talentit 17-vjeçar izraelit në El Clasico

Barcelona mund të ketë një surprizë në listën për El Clasicon e ardhshëm, pasi Orian Goren pritet të jetë një nga emrat e rinj që Hansi Flick mund të përfshijë në skuadër. Nëse ftohet, mesfushori do të jetë për herë të parë pjesë e ekipit të parë në përballjen më të madhe të futbollit spanjoll.

Trajneri gjerman e njeh tashmë 17-vjeçarin, pasi Goren ka marrë pjesë në fazën përgatitore të verës me ekipin e parë të Barcelonës dhe ka luajtur edhe në Trofeun Joan Gamper.

Të lidhura

None found

Lojtari i lindur në vitin 2009 është stërvitur me skuadrën e parë gjatë ditëve të premte dhe të shtunë. Një përfshirje në listën për ndeshjen ndaj Real Madridit do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm në rrugëtimin e tij.

Goren tashmë konsiderohet një prej futbollistëve kryesorë të Barça Atletic, ku aktivizohet rregullisht si titullar në mesfushë. Ai ka munguar vetëm kur është grumbulluar nga përfaqësuesja e të rinjve të Izraelit gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, edhe pse është vetëm 17 vjeç.

Mundësia për t’u afruar me ekipin e parë është shtuar edhe për shkak të dëmtimit të Dani Olmos, i cili ka krijuar nevojë për alternativa të tjera në skuadër.

Rrugëtimi i Gorenit te Barcelona nisi në vitin 2023, kur ai iu bashkua La Masias pas transferimit nga klubi izraelit Maccabi Petah Tikva. Pas aktivizimit me ekipet e moshave, këtë sezon ai kaloi te Barça Atletic, skuadra e dytë e klubit katalanas.

Një ftesë për El Clasicon do të tregonte ritmin e shpejtë të zhvillimit të mesfushorit, i cili në moshën 17-vjeçare mund të bëhet pjesë e një prej sfidave më të mëdha në futbollin botëror.

Përgjigjja përfundimtare pritet të vijë nesër (e diel), kur Hansi Flick të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen kundër Real Madridit.//


Shtuar më 24.10.2026 18:36