Vushtrria mungon në ndeshje, Ballkanit pritet t’i jepet fitorja zyrtare

Takimi mes Vushtrrisë dhe Ballkanit, i paraparë të ishte ndeshja e parë e së shtunës në javën e 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, nuk u zhvillua pasi skuadra vendase nuk u paraqit në fushë.

Ndeshja ishte caktuar të luhej nga ora 14:00 në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë, ku Vushtrria do të priste ekipin nga Theranda.

Të lidhura

None found

Mungesa e futbollistëve vendas lidhet me bojkotin e tyre, për shkak të pagave të papaguara nga kryesia e klubit.

Klubi i Vushtrrisë kishte bërë një reagim zyrtar, ku njoftonte për një marrëveshje me lojtarët që borxhi të shlyhej pas disa ditësh. Megjithatë, futbollistët nuk pranuan të luanin dhe ndeshja nuk mundi të zhvillohej.

Lojtarët e Ballkanit dhe gjyqtarët dolën në fushë për të pritur vendasit. Pasi Vushtrria nuk u paraqit, ata u kthyen në zhveshtore, ndërsa vendimi i mbetet komisionit pranë FFK-së.

Në bazë të rregullores, Ballkani pritet të shpallet fitues me rezultat zyrtar 3-0.


Shtuar më 24.10.2026 14:12