Protesta kombëtare në Tiranë, kontrolle automjeteve në rrugën e Arbrit! Policia postbllok pranë tunelit të Murrizit

Këtë të shtunë, kontrolle të shtuara policore janë regjistruar në Rrugën e Arbrit, në kuadër të masave të marra për protestën kombëtare të ditës së sotme, së cilës pritet t’i bashkohen të rinj dhe qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit.

Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, janë dislokuar pranë hyrjes së tunelit të Murrizit, ku po monitorojnë lëvizjen e automjeteve në drejtim të Tiranës.

Të lidhura

None found

Efektivët kanë ndaluar disa automjete për verifikim, për shkak të dyshimeve se në to mund të udhëtonin persona që mund të shkaktonin incidente gjatë protestës.

Megjithatë, deri më tani nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë dhe nuk janë identifikuar persona që paraqesin rrezik për sigurinë, sipas informacionit të bërë të ditur.

Ndërkohë, qytetarë nga qarku i Dibrës po udhëtojnë kryesisht me automjete private drejt kryeqytetit, për t’iu bashkuar protestës kombëtare.