Historiani dhe publicisti Auron Tare, ka reaguar pas publikimit nga kryeministri Edi Rama të një liste me fotografitë dhe emrat e 45 të rinjve protestues, të cilët, sipas kreut të qeverisë, kanë precedentë penalë.
Në një reagim të gjatë, Tare thotë se shumica e të rinjve të përfshirë në listë kanë qenë të mitur kur Rama mori drejtimin e vendit, ndaj ai argumenton se ata janë rritur në Shqipërinë që u ofroi Edi Rama.
Të lidhura
None found
Megjithatë, publicisti argumenton se do të ishte e gabuar që përgjegjësia për sjelljen e të rinjve t’i lihej vetëm individit, pa shqyrtuar edhe rolin e shtetit.
“Por askush të mos na kërkojë të besojmë se përgjegjësia e shtetit mbaron aty ku fillon përgjegjësia e individit”, shkruan Tare, ndërsa shton se, “Përpara se të na tregojë se kush janë këta të rinj, a mund të na tregojë se çfarë Shqipërie u përgatiti atyre për t’u rritur”?
Ai thekson se kryeministri ka publikuar listën e nxënësve të këqij, ndërsa tani i mbetet të na tregojë edhe emrin e mësuesit.
“Se, në fund të fundit, hashashi nuk u mboll vetëm në tokë. Në disa mjedise, ai zuri vend edhe në edukimin e një brezi. Dhe një pushtet që kërkon të gjykojë frytet e një shoqërie duhet të ketë kurajën të shohë edhe çfarë ka mbjellë vetë”, përfundon ai.
Auron Tare: “LISTA E STUDENTEVE DHE HASHASHI, MËSUESI I NJË BREZI”
Kryeministri Edi Rama, sot botoi një listë me fotografitë dhe emrat e dyzet e pesë të rinjve, të cilët, sipas tij, kanë precedentë penalë. Në listë, siç na bëhet e ditur, zënë një vend të dukshëm ata që kanë pasur punë me kultivimin dhe shpërndarjen e hashashit.
Nuk e di nëse Kryeministri, ndërsa përgatiste këtë galeri të vogël të fajtorëve, pati kohë të mendonte edhe për një hollësi, shumica e këtyre të rinjve ishin fëmijë të mitur kur ai mori në dorë fatet e Shqipërisë. Me fjalë të tjera, ata nuk u rritën në kohën e ndonjë dinastie të harruar. U rritën në Shqipërinë e tij, në atë Shqipëri që ai e ka drejtuar për vite me radhë dhe për të cilën, me siguri, ka plot fotografi per ta kujtuar.
Tani, Imagjinoni një fëmijë që rritet në Tiranë, në një lagje ku pallatet i zënë frymën njëri-tjetrit, ku pemët janë një kujtim i rrallë, ku fusha e sportit është zënë nga betoni, ku teatri nuk egziston, ku muzeu nuk ka, ku biblioteka nuk egziston dhe ku qendra kulturore, nëse ekziston në ndonjë dokument zyrtar, nuk ka qene kurrë pjese në jetën e tij.
Çfarë i mbetet këtij fëmije? Rruga. Oborri i shkollës. Kafeneja e lagjes. Shoqëria që gjen rastësisht. Dhe, në një mjedis ku tymi i hashashit është bërë pjesë e peizazhit të përditshëm.
Kështu, ndërsa fëmijëve të vendeve të tjera u ofrohen palestra, biblioteka, muzikë, sport, teatër e mundësi për të zbuluar talentin e tyre, një pjesë e fëmijëve tanë u rritën në një qytet që u mësoi më shumë si të konsumonin sesa si të krijonin, më shumë si të kalonin kohën sesa si t’i jepnin asaj një kuptim.
Dhe hashashi, në këtë zbrazëti, nuk ishte vetëm një bimë. U bë mësuesi i rrugës, shoqëruesi i mërzisë, gjuha e një mjedisi pa shumë alternativa. Aty ku mungonte libri, u shfaq tymi, aty ku mungonte fusha e sportit, u shfaq rruga, aty ku mungonte një institucion që t’i hapte fëmijës një horizont, u shfaq tundimi për ta gjetur jetën në një rrugë më të shkurtër.
Nuk po them se çdo i ri që ka shkelur ligjin është produkt i hashashit, as se varfëria kulturore e një qyteti e shfajëson atë që bën keq. Përgjegjësia individuale ekziston dhe ligji duhet të zbatohet. Por do të ishte një naivitet i admirueshëm, po të mos ishte kaq i rrezikshëm, të besonim se një brez edukohet në boshllëk dhe se shteti nuk ka asnjë përgjegjësi për botën që u lë fëmijëve të tij.
Kryeministri na tregon fotografitë e të rinjve. Por fotografitë nuk tregojnë gjithçka. Ato nuk tregojnë lagjet ku u rritën, oborret ku kaluan fëmijërinë, hapësirat që nuk i patën, librat që nuk iu afruan dhe institucionet që nuk trokitën kurrë në jetën e tyre.
Fotografia e një të riu mund të tregojë fytyrën e tij. Nuk tregon të gjithë historinë e shoqërisë që e formoi.
Dhe këtu do të dëshiroja t’i bëja Kryeministrit një pyetje të thjeshtë, përpara se të na tregojë se kush janë këta të rinj, a mund të na tregojë se çfarë Shqipërie u përgatiti atyre për t’u rritur?
Sepse qeverisja nuk është vetëm arti i të treguarit me gisht. Është, mbi të gjitha, detyra për të ndërtuar një mjedis ku fëmija të mos e ketë rrugën e gabuar më të afërt se rrugën e dijes.
Është e lehtë të nxjerrësh një listë me dyzet e pesë emra. Më e vështirë është të numërosh bibliotekat që mungojnë, fushat sportive që u zhdukën, qendrat kulturore që nuk u ndërtuan dhe vitet e fëmijërisë që kaluan pa një alternativë të denjë.
Nëse këta të rinj kanë kryer vepra penale, le të përgjigjen për to. Por askush të mos na kërkojë të besojmë se përgjegjësia e shtetit mbaron aty ku fillon përgjegjësia e individit.
Një shoqëri që nuk investon në edukim, kulturë dhe sport nuk mund të habitet pafundësisht kur rruga merr përsipër edukimin e fëmijëve të saj. Dhe kur rruga ka për mësues hashashin, nuk është çudi që disa prej nxënësve të saj të përfundojnë në anën e gabuar të ligjit.
Kryeministri ka publikuar listën e nxënësve të këqij. Mbetet të na tregojë edhe emrin e mësuesit.
Se, në fund të fundit, hashashi nuk u mboll vetëm në tokë. Në disa mjedise, ai zuri vend edhe në edukimin e një brezi. Dhe një pushtet që kërkon të gjykojë frytet e një shoqërie duhet të ketë kurajën të shohë edhe çfarë ka mbjellë vetë.
Një brez nuk edukohet vetëm me atë që i mësohet në shkollë, por edhe me atë që i lejohet të bëhet zakon. Dhe mjerë një vend kur zakoni i keq bëhet më i pranishëm se libri, më i arritshëm se sporti dhe më i afërt se kultura.






