Apeli francez rrëzon Ermal Beqirin! Biznesmeni: Korruptova shtetin, por asnjë nuk është në burg, çështja është politike! Prokurorja: Duhet të ekstradohet

Gjykata në Amiens të Francës, ka rrëzuar kërkesën për lirimin nga burgu të biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri, i cili do të qëndrojë në paraburgim në pritje të vendimit për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Beqiri u paraqit të premten, më 23 tetor, në gjykatë, tre ditë pas shqyrtimit të kërkesës së tij për lirim. Autoritetet franceze pritet të vendosin nëse ai do t’u dorëzohet apo jo autoriteteve shqiptare.

Të lidhura

None found

Sipas gazetës franceze, biznesmeni, i cili banon në kështjellën e Auteuil, në Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, kundërshton ekstradimin.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit në Tiranë, e dyshon si një nga personat e përfshirë në skandalin e AKSHI-t.

Gjatë seancës, gjykata shqyrtoi kërkesën për ekstradim në themel, pasi autoritetet shqiptare kishin dërguar dokumentacion shtesë, me kërkesë të bërë nga gjykata franceze në gusht.

Dokumentet përfshinin shkresa nga ministri i Drejtësisë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, lidhur me garancitë ligjore.

Avokati mbrojtës, Nicolas Paganelli, kundërshtoi dokumentet e paraqitura, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tyre.

“Janë drafte, nuk është punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i asistencës pas shitjes për garanci diplomatike të paplota”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, Ermal Beqiri, pretendoi se çështja ndaj tij është politike dhe shprehu mosbesim ndaj drejtësisë shqiptare.

“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, u shpreh biznesmeni.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në Amiens kërkon që ekstradimi të kryhet, duke argumentuar se vlerësimi i sistemit gjyqësor shqiptar nuk është në kompetencën e dhomës së hetimeve.

“Po ju kërkohet të mbani një qëndrim për sistemin gjyqësor shqiptar, por kjo nuk është detyra e dhomës së hetimeve”, deklaroi prokurorja e përgjithshme.

Ajo kishte përmbledhur më herët çështjen me fjalët: “Në Shqipëri po zhvillohet një spastrim i madh i organizuar”.

Kujtojmë se Ermal Beqiri, u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly, midis Dieppe dhe Le Tréport të Francës.

Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.

Autoritetet franceze i kanë sekuestruar një kështjellë të shekullit të 16-të , gati 1 orë larg Parisit, llogari bankare me një vlerë prej më shumë se 2.1 milion euro, dy apartamente në jug të Francës, disa automjete, një jaht si dhe një avion të lehtë.

Ermal Beqiri kërkohet nga SPAK lidhur me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.


Shtuar më 24.10.2026 07:53