Kryeinspektori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Sula, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, protestat dhe kërkesën e kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e mbi 130 drejtuesve të administratës publike. I ftuar në emisionin “Breaking” në Top Neës, përballë gazetares Jetona Koçibelli, Sula u pyet nëse do të pranonte të largohej nga posti në rast se një kërkesë e tillë do t’i drejtohej edhe atij.
Fillimisht, ai shprehu keqardhje për situatën e krijuar në vend, duke u ndalur te incidentet dhe personat e lënduar gjatë protestave. “Si qytetar, si prind dhe si nëpunës i shtetit, shpreh keqardhjen për të gjithë situatën që ndodhet vendi ynë, duke pasur parasysh dhe lëndimet dhe problematikat gjatë protestave. Nuk është normale që të lëndohen protestuesit apo të lëndohen policët që janë në krye të detyrës”, u shpreh Sula.
Të lidhura
None found
I pyetur drejtpërdrejt nëse do të jepte dorëheqjen, Kryeinspektori theksoi se ka vetëm shtatë muaj në krye të institucionit dhe se gjatë kësaj periudhe është përballur me problematika të shumta, por ka arritur edhe rezultate konkrete falë mbështetjes së kryeministrit Rama. Sipas tij, institucioni që drejton është në proces përmirësimi, ndërsa po punohet për pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente në trup dhe për realizimin e inspektimeve online në pikat doganore.
“Unë kam 7 muaj në detyrë, i emëruar si Kryeinspektori i Republikës së Shqipërisë, është një detyrë shumë, jashtëzakonisht e vështirë. Kam gjetur problematika mjaft të mëdha dhe bashkë me stafin tim të ngushtë, në sajë të mbështetjes së Kryeministrit, kam pasur dhe rezultate konkrete”, deklaroi ai.
Sula pranoi se problematikat në institucionin që ka rreth 2100 inspektorë janë ende të shumta, por theksoi se integriteti i tij personal dhe profesional mbetet i padiskutueshëm. Ai u shpreh se nuk do të pranonte në asnjë rrethanë të korruptohej për emërime apo masa disiplinore, pavarësisht ndërhyrjeve që, sipas tij, vijnë si nga përfaqësues të së djathtës, ashtu edhe të së majtës.
“Nuk ka shans që një biznesmen apo një person të më korruptojë mua për emërime, masa disiplinore etj. Kam ndërhyrje edhe nga të djathtët e të majtët. Unë kam pasur një mbështetje të fortë nga ana e Kryeministrit”, theksoi Kryeinspektori.
Pavarësisht pyetjeve të përsëritura të gazetares, Sula nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të dorëhiqej në rast se një gjë e tillë do t’i kërkohej nga kreu i qeverisë. Në vend të kësaj, ai vuri në dukje mbështetjen që ka marrë nga Rama, duke theksuar se kryeministri ka mbajtur një qëndrim parimor në raport me problematikat e institucionit që ai drejton.







