Shqipëria, së bashku me Bordin e Paqes, Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Grupin e Punës për Gazën, kanë finalizuar zyrtarisht Marrëveshjen e Shtetit Pjesëmarrës, e cila hap rrugën për angazhimin e vendit në këtë forcë ndërkombëtare.
Vendi ynë do të kontribuojë me mbështetje të mëtejshme në operacionet e sigurisë si dhe me kapacitete për planifikimin e veprimeve të misionit në Gaza. Ky kontribut vjen pas atyre të dhëna tashmë nga Maroku dhe Kosova, dhe pritet të luajë një rol kyç në përshpejtimin e misionit të përgjithshëm, i cili synon avancimin e qeverisjes, sigurisë, ndihmës humanitare, shtetit ligjor dhe procesit të rindërtimit.
Të lidhura
None found
Në një njoftim të publikuar në platformën “X”, Bordi i Paqes e cilësoi këtë si një marrëveshje me rëndësi të veçantë midis Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Shqipërisë, e cila siguron mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe planifikimin e operacioneve në Gaza. Sipas njoftimit, kontributet shqiptare, të cilat plotësojnë ato të Marokut dhe Kosovës, do të jenë thelbësore për avancimin e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt më 21 tetor, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, shefi i Mbrojtjes, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, Jasper Jeffers, ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, komandanti i Regjimentit të Operacioneve Speciale, kolonel Ajet Jata, si dhe përfaqësues të Grupit të Punës për Gazën.





