Studentja e Mjekësisë denoncon mungesën e meritokracisë: Kuotat përfundojnë te fëmijët e pushtetarëve

E ftuar në emisionin “Review” të Greta Topjanës, Dhimitra Nushi, studente në vitin e katërt të Mjekësisë, foli për protestën e madhe që pritet të zhvillohet të shtunën. Ajo deklaroi se mungesa e meritokracisë është një ndër arsyet kryesore që i ka nxitur të rinjtë të dalin në protestë.

Sipas saj, në fushën e Mjekësisë numri i kuotave është i kufizuar dhe mundësitë për t’i përfituar ato, në disa raste, u janë dhënë fëmijëve të deputetëve, ministrave apo personave të tjerë.

Të lidhura

None found

“Presim që nesër në protestë të na bashkohet edhe diaspora, por edhe studentët, qytetarët e thjeshtë dhe nxënësit e shkollave, si dhe studentët që nuk kanë pasur mundësi të na bashkohen gjatë javës. Unë jam duke protestuar sepse dua sigurinë që nesër, kur të dal në tregun e punës, të konkurroj me ndershmëri dhe barazi, pra të ketë meritokraci. Mendoj se nuk ka meritokraci, sepse të gjithë e dimë të vërtetën. Po flas për fushën time: në Shqipëri ka shumë pak kuota dhe, nga ato që kam parë, i ka marrë gjithmonë vajza e deputetit, djali i ministrit, vajza e ministrit apo personi X. Pra, nuk ka pasur meritokraci për studentin apo specializantin që vërtet e ka merituar. Ka pasur studentë ekselentë, me bursa, të cilët janë detyruar të shkojnë jashtë shtetit për t’u specializuar duke u ndarë nga familjet e tyre në Shqipëri”, tha Nushi.