Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u është drejtuar me një apel për votim zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Ajo i ka ftuar që më 25 tetor të zgjedhin Koalicionin Shqiptar, me numër 17, në mënyrë që të fuqizojnë përfaqësimin e tyre në Parlamentin e Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e ka cilësuar të domosdoshme praninë sa më të fuqishme të përfaqësuesve shqiptarë në këtë parlament, duke e lidhur këtë nevojë me diskriminimin sistematik dhe mohimin e të drejtave, siç i përshkruan ajo.
Të lidhura
None found
Në shkrimin e saj, ajo ka nënvizuar se diskriminimi sistematik, mohimi i të drejtave dhe padrejtësitë e vazhdueshme nga shteti serb e bëjnë të nevojshëm një përfaqësim sa më të fortë të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
Sipas Gërvallës, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare duhet t’i mbajnë në vëmendje shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Apeli i saj për ushtrimin e së drejtës së votës u është drejtuar shqiptarëve si në Luginë, ashtu edhe në mërgatë. Ajo ka vlerësuar se një pjesëmarrje më e lartë në votime mund t’ua fuqizojë zërin dhe përfaqësimin në Parlamentin e Serbisë.






