Me ardhjen e vjeshtës, Tetova nuk përballet vetëm me zverdhjen e peizazhit, por edhe me shqetësimin e përsëritur për cilësinë e ajrit. Temperaturat tashmë kanë shënuar rënie dhe qyteti e ka tejkaluar pragun minimal të ndotjes, ndërsa institucionet ende nuk kanë reaguar. Sipas ekologëve, në themel të kësaj gjendjeje janë mungesa e veprimit nga institucionet vendore dhe lënia pa kontroll e ndotësve të mëdhenj.
Banorët, ndërkohë, duhet të sigurojnë ngrohjen pa pasur në dispozicion një rrjet qendror dhe përballë kostove të larta të energjisë. Këto kushte i shtyjnë shumë familje të përdorin për djegie gjithçka që gjejnë, përfshirë dru të lagësht, mbetje industriale e plastikë, duke çliruar lëndë helmuese në mjedis.
Të lidhura
None found
Për aksionet konkrete në terren, Komuna e Tetovës bën të ditur se ato ende nuk kanë filluar. Sipas shpjegimit të saj, ndërhyrjet do të nisin në përputhje me kalendarin zyrtar të sezonit të ngrohjes.
Një rrugëdalje të qëndrueshme nga kjo situatë, ekspertët dhe aktivistët e mjedisit e shohin tek investimet kapitale. Ata kërkojnë gjithashtu që shteti të japë subvencione të drejtpërdrejta për sisteme me efikasitet energjetik, mes të cilave edhe pompat termike.
Tetova mbetet nën ndikimin e ndotjes, teksa institucionet e kanë lënë për nëntor nisjen e inspektimeve dhe familjet përllogarisin çdo kilovat energji elektrike për të përballuar muajin. Nëse mungojnë masat parandaluese dhe një strategji konkrete subvencionimi, përballja me smogun rrezikon të përfundojë sërish pa sukses edhe gjatë dimrit të këtij viti. /TV21/





