Kurti zhvilloi takim me Lord Wood of Anfield

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua dje pasdite me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Takimi u mbajt në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit.

Image

Të lidhura

None found

Kurti bëri të ditur se komunikimi me Londrën është i afërt dhe i vazhdueshëm. Ai vuri në dukje se takimi me Lord Wood of Anfield pasoi bisedat e zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce: njëra në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York dhe tjetra përmes telefonit nga Prishtina.

Sipas kryeministrit, Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës, që nga çlirimi dhe pavarësia e deri te demokracia e sotme. Ai shtoi se vendi mbetet ndër mbështetësit më të fuqishëm të integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Kurti theksoi se, me institucionet tashmë plotësisht funksionale, Qeveria e Kosovës po përqendrohet te reformat dhe zhvillimi. Kjo, sipas tij, krijon më shumë mundësi për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, në fusha që përfshijnë mbrojtjen dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.


Shtuar më 23.10.2026 20:00