Një person është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “Rasti i njëmilionëshit”. Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës po kryejnë bashkërisht veprimet e nevojshme hetimore, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje dhe mbledhjen e provave përkatëse.
Të lidhura
None found
Meqë hetimet vijojnë, Prokuroria ka njoftuar se në këtë fazë nuk do të bëjë publike hollësi të tjera. Sipas saj, kjo bëhet për të mbrojtur integritetin e procesit hetimor.
Prokuroria Speciale ka riafirmuar angazhimin për t’i ushtruar kompetencat e veta ligjore me profesionalizëm dhe paanshmëri. Ajo ka theksuar gjithashtu respektimin e të drejtave të personave që përfshihen në procedurë, si dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë.





