Aksident zinxhir në Turqi pas ndeshjes, Andre Onana dhe familja e tij shpëtojnë pa lëndime

Andre Onana u përfshi në një aksident zinxhir të enjten mbrëma, pas fitores 2-0 të Trabzonsporit ndaj skuadrës skoceze Hearts në “Papara Park”, në ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Konferencës.

Agjencia turke e lajmeve 61saat raportoi se portieri po udhëtonte drejt shtëpisë, kur, disa kilometra larg stadiumit, automjeti i tij u godit nga një makinë që vinte pas.

Të lidhura

None found

Goditja e shtyu makinën e Onanës përpara, ku ajo u përplas me një automjet tjetër dhe shkaktoi përplasjen zinxhir.

Në veturë udhëtonin edhe familjarë të portierit kamerunas. Sipas mediave turke, asnjëri prej tyre nuk u lëndua. Në vendngjarje shkuan edhe përfaqësues të Trabzonsporit për t’u interesuar për gjendjen e tij.

Mediat britanike dhe gazeta italiane Gazzetta dello Sport njoftuan se Onana u dërgua në spital për kontrolle mjekësore, por u largua prej andej pas një kohe të shkurtër.

Sipas Gazzetta dello Sport, ai drejtonte një veturë Hongqi E-HS9, e cila pësoi dëme të mëdha në pjesën e përparme, në anën e djathtë.

Presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, tha se portieri nuk ka probleme shëndetësore dhe i uroi shërim të shpejtë.

Onana, portier i kombëtares së Kamerunit, është huazuar te Trabzonspori nga Manchester United për këtë sezon. Gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Interin.


Shtuar më 23.10.2026 18:54