Me afrimin e dimrit, Vladimir Putin po orienton sulmet ndaj Ukrainës drejt infrastrukturës ujore të Kievit, me synimin për t’i ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm kryeqytetit.
Sipas një dokumenti rus që ukrainasit kanë parë dhe që e ka siguruar The New York Times, Moska vlerëson se për të lënë Kievin, Harkivin dhe Odesën pa ujë, energji elektrike dhe ngrohje do të nevojiteshin 70 raketa balistike, 720 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe 150 bomba të drejtuara. Në planet sekrete të Rusisë, goditja e furnizimit me ujë shihet si një rrugë drejt kapitullimit të Kievit.
Të lidhura
None found
Dokumenti, të cilin pala ukrainase ua ka përcjellë partnerëve europianë, parashikon shkatërrimin e 90 për qind të kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me ngrohje në tri qytetet.
Këto shifra paraqesin vlerësimin e sulmuesve dhe nuk garantojnë se objektivi do të arrihet. Megjithatë, ato dëshmojnë synimin për ta dobësuar Ukrainën përmes vuajtjeve të civilëve, aty ku ushtria nuk po ia del në fushën e betejës. Për të ndërprerë ujin në Kiev, nuk është e nevojshme të thahet Dnipro.
Do të mjaftonte nxjerrja jashtë funksionit e pompave që marrin dhe shpërndajnë ujin në banesa, si dhe largojnë ujërat e zeza. Rrjeti i kryeqytetit përcjell afërsisht 700 milionë litra ujë çdo ditë dhe është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike në qytet.
Goditja e një centrali apo dëmtimi i një nënstacioni mund të ndalë edhe këtë sistem jetik. Ndërkohë, defektet e reja shtohen mbi dëmet e mëparshme, ndërsa ekipet e riparimit punojnë për një rrjet që mbetet i rrezikuar nga bombardimet.






