Një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës për qytetin e pushtuar të Oleshky-t, në rajonin e Khersonit, është ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se armëpushimi pritet të hyjë në fuqi më 29 tetor. Njoftimi vjen në një kohë kur banorët e qytetit po vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit të pijshëm dhe shërbimeve shëndetësore.
Të lidhura
None found
Sipas deklaratës zyrtare, Oleshky, i cili ndodhet nën kontrollin rus dhe në vijën e frontit, është përshkruar si një qytet “në prag të katastrofës”. Deri tani, as Moska dhe as Kievi nuk kanë bërë një reagim publik lidhur me njoftimin për armëpushimin.
“Popullsia e mbetur në Oleshky përbëhet kryesisht nga të moshuar, të cilët kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, ilaçe, ushqime dhe ujë të pastër”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se Melania Trump, së bashku me përfaqësuesin e saj, ka komunikuar drejtpërdrejt me drejtuesit rusë dhe ukrainas për të përcaktuar kushtet e marrëveshjes lokale.
“Përfaqësues civilë, jo ushtarakë, nga të dyja vendet do të punojnë së bashku për të vizituar banorët e Oleshky-t në shtëpitë e tyre dhe për të përcaktuar nivelin e ndihmës që u nevojitet”, citohet të ketë thënë Melania Trump.
Ajo deklaroi gjithashtu se personat që duan të largohen nga qyteti do të kenë në dispozicion ndihmë të koordinuar dhe transport drejt vendit që do të zgjedhin.
“Pres që disa të dëshirojnë të shkojnë në Rusi, ndërsa të tjerë në Ukrainë”, tha bashkëshortja e presidentit amerikan, Donald Trump.
Melania Trump tha se banorët përballen me furnizim të kufizuar me energji elektrike, lëvizje nëpër rrugë të minuara dhe sulme të përsëritura ushtarake.
“Pa ndërhyrjen time, mundësia për të sjellë ndihma humanitare në qytet dhe për të evakuuar të moshuarit do të ishte e pamundur”, deklaroi ajo.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nuk bëhet e ditur kohëzgjatja e armëpushimit.
Gjatë muajit të kaluar, disa nga banorët që kanë mbetur në Oleshky i treguan BBC-së për kushtet e vështira të jetesës, të shoqëruara nga bombardimet e vazhdueshme dhe mungesa e furnizimeve me ushqime e ujë.
Banorët thanë se, për të mbijetuar, disa prej tyre kanë përdorur edhe barishte të egra të mbledhura në kopshte. Në zonën më të gjerë të Oleshky-t, fëmijët po përballen me kequshqyerje, mungesë të kujdesit shëndetësor dhe ndërprerje të shkollimit. Sipas dëshmive të dhëna për BBC-në, vetëm një spital vijon të funksionojë pjesërisht dhe hapet disa ditë në javë për ndërhyrje urgjente, mes tyre edhe amputime.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka thënë se popullsia vendase ndodhet nën një “bllokadë të plotë” të vendosur nga forcat ruse. Ukraina pretendon se ka tentuar të dërgojë furnizime në këtë zonë, por përpjekjet nuk kanë pasur sukses gjatë muajve të fundit.
Në shtator, edhe Kremlini e pranoi se Oleshky po kalonte një “situatë kritike”, veçanërisht për shkak të problemeve me ushqimet dhe ilaçet. Pala ruse tha se ushtria po ndërmerrte hapa për zgjidhjen e situatës, ndërsa përgjegjësinë për problemet ia atribuoi Kievit.
Forcat ruse e morën Oleshky-n, në rajonin e Khersonit, gjatë ditëve të para të ofensivës së gjerë të Moskës, në shkurt të vitit 2022. Qyteti ndodhet ndërmjet lumit Dnipro, i cili e ndan nga pozicionet ukrainase, dhe forcave ruse, rrethanë që ka izoluar banorët dhe ka kufizuar mundësitë për furnizime.
Marrëveshja e njoftuar nga Shtëpia e Bardhë synon të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe largimin e banorëve më të rrezikuar, në rast se palët e zbatojnë atë.







