Mëngjesi i së premtes, më 23 tetor, u shënua nga të shtëna me armë në dy zona të departamentit Yvelines, në periferi të Parisit. Bilanci është të paktën një person i vrarë dhe katër të plagosur, ndër të cilët edhe një fëmijë 12-vjeçar.
Mediat franceze raportojnë se një person i armatosur qëlloi në disa hapësira publike të qyteteve Trappes dhe La Verrière, duke përhapur panik mes banorëve. Vendet ku u dëgjuan të shtënat përfshijnë zonat pranë një zyre postare, një pike karburanti, një kopshti, një qendre kujdesi dhe një farmacie, por edhe afërsinë e stacionit hekurudhor të La Verrière.
Të lidhura
None found
Nga raportimet mësohet se personi që hapi zjarr udhëtonte me një Renault Clio gri dhe qëllonte nga brenda makinës drejt njerëzve që gjendeshin në zonë. Arrestimi i tij u bë pak më vonë në zonën e Quanières.
Gazeta franceze Le Parisien, duke iu referuar burimeve të saj, shkruan se arma e përdorur nga i dyshuari mund të ketë qenë një automatik i tipit STEN, i prodhuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për ngjarjen reagoi kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, i cili u shpreh shumë i shqetësuar për mënyrën e sulmit. Sipas tij, autori qëllonte pa përzgjedhur objektivat dhe synonte të shkaktonte një masakër.
Paralajmërimet për rrezikun qarkulluan edhe në rrjetet sociale. Një përdorues njoftoi banorët se në zonë ndodhej një person i armatosur dhe u kërkoi të mos dilnin nga shtëpitë, për të mos u rrezikuar.
Ende nuk janë sqaruar motivet e autorit dhe të gjitha rrethanat e ngjarjes. Mediat franceze bëjnë të ditur se autoritetet kanë angazhuar forcat e sigurisë dhe organet e drejtësisë për hetimin e rastit. Ndërkohë, Prokuroria Kombëtare Antiterrorizëm ka bërë të ditur se po ndjek situatën.







