Aprilia Tuareg Racing ka mbyllur me sukses Kampionatin Evropian “Tout Terrain Rally Cup 2026”, duke fituar si klasifikimin e përgjithshëm, ashtu edhe kategorinë M5 për motoçikletat me dy cilindra.
Thomas Marini u shpall kampion i Evropës në të dyja renditjet, ndërsa shoku i ekipit, Jacopo Cerutti, siguroi pozicionin e dytë.
Të lidhura
None found
Për skuadrën, ky është titulli i parë evropian në klasifikimin e përgjithshëm. Për Marinin, triumfi është edhe më domethënës, pasi erdhi në sezonin e tij të parë në drejtimin e Aprilia Tuareg Rally.

Marini, garuesi nga San Marino, e nisi aventurën në Santiago de Compostela të Spanjës. Atje ai u rendit i dyti në klasifikimin e përgjithshëm, pas Ceruttit, ndërsa fitoi edhe dy etapa.
Në ndalesën e dytë, në Pefki Evia të Greqisë, ai regjistroi dy fitore ditore në kategorinë e tij. Më pas, në raundin përmbyllës të zhvilluar në Râmnicu Sărat të Rumanisë, Marini mori fitoren e parë në klasifikimin e përgjithshëm, duke e mbyllur sezonin me katër fitore ditore dhe podium në çdo etapë.
Cerutti e përfundoi kampionatin në vendin e dytë, duke i dhënë Aprilias një rezultat të dyfishtë në të dyja klasifikimet. Italiani kishte triumfuar në dy gara të përgjithshme, në Spanjë dhe Greqi, por në raundin e fundit në Rumani pësoi një rrëzim të rëndë dhe u tërhoq nga gara, ndërsa ishte në betejë me Marinin për titullin.

Aprilia në Kosovë përfaqësohet nga Ventoro Motors by Auto Mita.
“Jam shumë i lumtur që fitova titullin evropian në klasifikimin e përgjithshëm dhe në kategorinë time, veçanërisht pasi ky është viti im i parë me Aprilian. Të fitosh me një motoçikletë dhe ekip të ri është burim i madh krenarie”, deklaroi Marini, duke nënvizuar gjithashtu bashkëpunimin me ekipin GCorse.

Suksesi i fundit pason rezultatet e rëndësishme të Aprilia Tuareg Racing në garat jashtë rruge, përfshirë dy fitoret radhazi në Africa Eco Race në vitet 2024 dhe 2025, si dhe tre titujt e njëpasnjëshëm në Italian Motorally nga viti 2023 deri më 2025.







