Një investigim i publikuar nga revista amerikane “Vanity Fair” hedh dritë mbi transferta të mëdha financiare dhe marrëdhënie mes Jared Kushnerit, dhëndrit dhe ish-këshilltarit të Donald Trumpit, dhe drejtuesve të Emirateve të Bashkuara Arabe e Arabisë Saudite.
Sipas artikullit, shërbimi holandez i inteligjencës zbuloi një pjesë të historisë pasi mori pamje të ekranit nga telefoni i Kushnerit. Monitorimi tregoi se ai hynte në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishin derdhur qindra miliona dollarë përmes një banke në Azerbajxhan.
Të lidhura
None found
Revista shkruan se në vitin 2017, udhëheqësit e Emirateve dhe Arabisë Saudite biseduan me Kushnerin për ngritjen e një fondi për objektiva të politikës së jashtme. Plani fillestar parashikonte financim mbi 10 miliardë dollarë, por u la mënjanë. Më pas, të paktën 2 miliardë dollarë u depozituan në dy llogari të lidhura me të.
Njëra prej llogarive, të cilën investigimi e quan “Alpha”, mbahej në First Abu Dhabi Bank. Rreth 750 milionë dollarë u transferuan aty nga sauditët dhe emiratët, me synimin që fondet të përdoreshin për çështje të politikës së jashtme.
Kushneri nuk ishte pronar i llogarisë “Alpha”, por kishte autorizim të kryente veprime në të. Llogaria i përkiste një fondacioni bamirësie të financuar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Burime të cituara nga revista pretendojnë se fondacioni shërbente gjithashtu si mbulesë për transferimin e parave që mbështesnin operacione të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së Emirateve jashtë vendit. Sipas tyre, statusi bamirës i organizatës e bënte më pak të mundshme që transfertat ndërkombëtare të tërhiqnin vëmendje dhe kontrolle.
Investigimi vë në pikëpyetje edhe bazën ligjore për autorizimin e Kushnerit. Katër ish-zyrtarë të lartë të administratës Trump thanë se nuk dinin për ndonjë autorizim presidencial që do t’i jepte atij qasje në llogarinë bankare të një qeverie të huaj.
Avokati i Kushnerit i ka kundërshtuar nënkuptimet e artikullit. Ai deklaroi se klienti i tij nuk kishte arritur marrëveshje apo bërë aranzhime me udhëheqës ose zyrtarë të huaj pa miratimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe se veprimet e tij ishin në interes të SHBA-së.
Artikulli nga Vanity Fair: Në fund të pranverës së vitit 2020, një burim që e konsideroja të besueshëm më telefonoi dhe më rrëfeu një histori. Qeveria holandeze, më tha, kishte hakuar telefonin e Jared Kushnerit dhe e kishte ndjekur teksa hynte në një llogari bankare në Dubai. Ajo që e bënte çështjen të pazakontë ishte se në atë llogari kishin mbërritur qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan. Por, sipas burimit, më e rëndësishmja ishte se Kushneri dukej se kishte dërguar shuma të mëdha nga llogaria në Dubai te njerëz të tjerë, mes tyre një komandant lufte, një mercenar dhe një ish-vrasës me pagesë.
I thashë burimit se rrëfimi më dukej absurd. Megjithatë…
Gjashtë muaj më pas, po flisja me një person tjetër për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përdorimin e mercenarëve prej saj në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. E pyeta kalimthi nëse kishte dëgjuar për Kushnerin dhe transfertat bankare nga një llogari në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bashkëbiseduesi heshti për disa çaste, pastaj tha: “Po”.
Në katër vitet që vijuan, mësova se, në fund të vitit 2017, Shërbimi Holandez i Inteligjencës së Mbrojtjes dhe Sigurisë (MIVD) kishte bërë një zbulim tronditës. Një haker i rrjetit të errët, i specializuar në të dhënat bankare të vjedhura dhe operativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtabit të Forcave të Armatosura të Rusisë (GRU), po shkonte drejt Mbretërisë së Bashkuar për një mision spiunazhi.
Holandezët iu drejtuan qeverisë britanike për leje që ta arrestonin pas mbërritjes, dhe britanikët pranuan. Kur rusi mbërriti në Angli, holandezët i ofruan dy rrugë: të bashkëpunonte kundër GRU-së ose të arrestohej nga britanikët. Nëse shpallej fajtor, mund të kalonte vite në një burg britanik. Ai vendosi të ndërronte palë.
Më vonë, po atë vit, agjenti rus u dha spiunëve holandezë qasje në një prej burimeve më të ndjeshme të GRU-së. Në Rostov të Rusisë, hakerët dhe specialistët kibernetikë të GRU-së administronin një server në distancë ku ruheshin disa prej të dhënave të vjedhura. Gjatë shqyrtimit të dosjeve sekrete, holandezët gjetën diçka të jashtëzakonshme: pamje ekrani nga iPhone-i i Jared Kushnerit.
Në Hagë, ekipi i hakerëve të MIVD-së u përpoq të rindërtonte mënyrën se si rusët kishin hyrë në telefonin e Kushnerit. Ai kishte modelin më të ri në atë kohë, iPhone X, të hedhur në treg në nëntor të vitit 2017 dhe të pajisur me Face ID, sistemin e sigurisë që Apple e kishte promovuar gjerësisht gjatë prezantimit.
Teksa kërkonin mënyrën për të kapërcyer mbrojtjen e pajisjes, holandezët kuptuan se rusët mund të mos kishin përdorur hyrjen kryesore, por kishin gjetur një dritare të pambrojtur.
Dyshimi u vërtetua. Në fillim të vitit 2018, MIVD zbuloi një dobësi në iPhone që lejonte hyrjen. Megjithatë, shfrytëzimi i saj nuk ishte i përsosur. Disa programe keqdashëse mund ta përdorin telefonin e viktimës si mikrofon e kamerë, ta ndezin ose ta fikin dhe të marrin apo të shtojnë skedarë. Mjeti holandez nuk mundësonte një qasje të tillë; ai u jepte mundësi të shihnin ekranin sa herë që Kushneri përdorte telefonin.
Thuajse menjëherë pas depërtimit, shërbimi i inteligjencës nisi të regjistronte çdo pamje të ekranit të telefonit gjatë përdorimit nga Kushneri dhe t’i ruante ato në serverët e brendshëm.
Vëzhgimi zbuloi se Kushneri përdorte telefonin për t’u futur në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në momentin kur spiunët holandezë panë aktivitetin e pajisjes, llogaria kishte marrë qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan.
Në fillim, u vlerësua se llogaria lidhej me qeverinë azerbajxhanase. Për hakerët e MIVD-së, ajo u bë një enigmë inteligjence që kërkonte zgjidhje. Pothuajse gjithçka me të cilën merreshin dukej se kishte një lidhje me komplote ruse.
Pak më shumë se një vit pas nisjes së presidencës së parë të Trumpit, MIVD-ja, njësoj si agjentët e FBI-së dhe prokurorët federalë në Uashington që punonin për hetimin e Robert Muellerit, kishte zbuluar vetëm një pjesë të kësaj historie.
Kushneri, sundimtari i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed (MBZ) dhe Mohammed bin Salman (MBS) i Arabisë Saudite u afruan në një çast vendimtar.
MBS synonte të bëhej princ i kurorës. MBZ kërkonte të rrëzonte marrëveshjen bërthamore të Obamës me Iranin, ndërsa Kushneri shpresonte që të dy ta ndihmonin të ushtronte presion mbi palestinezët për një marrëveshje të pranueshme për Izraelin.
Edhe pse perceptohej si i pasur, Kushneri nuk ishte plotësisht i pavarur financiarisht nga prindërit. Kompania familjare, Kushner Companies, duhej të shlyente një kredi prej një miliard dollarësh për ndërtesën e saj më të njohur: kullën e zyrave në Manhatan, në adresën 666 Fifth Avenue.
Në nisje të administratës së parë Trump, MBZ dhe MBS propozuan financimin e një fondi të posaçëm për të ndihmuar administratën e re të realizonte synime të politikës së jashtme. Një shembull i përmendur ishte financimi i murit që Trumpi kishte premtuar në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, me qëllim sigurimin e një mandati të dytë presidencial.
Në fillim, dy udhëheqësit arabë dhe Kushneri shqyrtuan mundësinë që në këtë nismë të investoheshin mbi 10 miliardë dollarë.
Por brenda disa muajsh, teksa MBZ i bënte trysni administratës Trump të mbështeste përpjekjen e MBS-së për t’u bërë princ i kurorës dhe më vonë mbret i Arabisë Saudite, u hoq dorë nga ideja e një fondi më të gjerë për politikën e jashtme.
Në vend të tij, MBZ dhe MBS, fillimisht së bashku e më pas vetëm MBZ, depozituan të paktën 2 miliardë dollarë në të paktën dy llogari bankare të lidhura me Kushnerin.
Mënyra e saktë se si u organizuan pagesat e përbashkëta prej 2 miliardë dollarësh nga dy udhëheqësit arabë nuk dihet, por në praktikë ata e ndanë koston. Për të kuptuar marrëveshjen, duhet parë vendndodhja e secilës llogari dhe personat që e kontrollonin.
Llogaria “Alpha” ishte në First Abu Dhabi Bank, banka më e madhe e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo mbikëqyrej nga vëllai i MBZ-së, Tahnoon bin Zayed, kryetar i bordit të bankës.
Që prej vitit 2017, sauditët dhe emiratët kaluan rreth 750 milionë dollarë në llogarinë Alpha, e cila do të shërbente si fond për politikën e jashtme. Kushneri dhe MBZ-ja do të mbikëqyrnin dhe administronin një pjesë të parave. Në përpjekjen për të arritur një marrëveshje të gjerë që do t’i jepte fund konfliktit izraelito-palestinez, ata besonin se duhej rishikuar harta e rajonit.
“Jaredi po kërkonte rrugë të shkurtra në diplomacinë e tij”, tha një burim me dijeni për marrëveshjen mes Emirateve dhe Kushnerit.
Burimi kishte biseduar me zyrtarë të lartë të Emirateve dhe Izraelit lidhur me marrëveshjen e fshehtë financiare mes Kushnerit, Emirateve dhe, të paktën në fillim, Arabisë Saudite.
“Jaredi i premtoi MBZ-së se do ta çonte përpara agjendën e tyre me Trumpin nëse do të kontribuonin në një fond. Ai donte normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, që biznesi të lulëzonte”, tha burimi.
Ky person shpjegoi se një fond sekret, pra një shumë e përbashkët parash për synime diplomatike jashtë kanaleve zyrtare, ishte një formë e zakonshme korrupsioni në qeveritë arabe të Gjirit.
“Emiratet dhe sauditët e bëjnë këtë një herë në vit. Një apo dy miliardë dollarë nuk janë asgjë për ta dhe, nëse kjo u siguron atë që duan, atëherë janë para të shpenzuara mirë”, tha ai.
Në pamje të parë, llogaria Alpha ngjante me një burim financimi për një program të qeverisë emiratase, përmes të cilit MBZ paguante, për shembull, zyrtarët ose mbështeste shkollat shtetërore. Por mënyra e hyrjes së parave dhe personat përmes të cilëve kalonin tregonin se marrëveshja synohej të mbahej e fshehtë.
Në thelb, ishte një skemë e fshehtë dhe e dyshimtë, e administruar pjesërisht nga një këshilltar i lartë i presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Holandezët që po vëzhgonin llogarinë Alpha vunë re se fondet vinin të gjitha në dollarë amerikanë, të transferuara nga një bankë në Azerbajxhan.
Azerbajxhani ka një rol të veçantë në pastrimin e parave. Banka e tij qendrore zotëron rezerva të mëdha në dollarë amerikanë, por sistemi bankar nuk zbaton standardet më të larta të transparencës.
Si pasojë, bankat azerbajxhanase kanë zhvilluar praktika të qëndrueshme, por jozyrtare, për të shërbyer si ndërmjetëse në transferta të mëdha. Në këto transaksione, një valutë e huaj këmbehet me një vlerë të barabartë në dollarë amerikanë.
Për një tarifë prej rreth 6–7 për qind të transaksionit, disa banka në Azerbajxhan pranojnë para nga klientë që duan të zhvendosin qindra miliona dollarë në riale saudite ose dirhemë të Emirateve.
Klienti nga Arabia Saudite ose Emiratet i dërgon paratë në bankën azerbajxhanase. Më pas, banka përdor një llogari tjetër të brendshme për të çuar shumën përkatëse në dollarë amerikanë drejt vendit që ka kërkuar klienti.
Për auditorët, kjo tregti e fshehtë është e vështirë të zbulohet. Një vëzhgim sipërfaqësor, si ai që holandezët mund të bënin përmes monitorimit të iPhone-it të Kushnerit, tregonte vetëm një llogari që dukej e lidhur me qeverinë e Azerbajxhanit dhe që kishte transferuar qindra miliona dollarë drejt një llogarie në Dubai.
Megjithatë, llogaria Alpha kishte edhe një veçori tjetër që holandezët nuk mund ta shihnin ose ta kuptonin. Ajo ndihmonte në zbulimin e qëllimit të vërtetë të parave.
Kushneri nuk zotëronte llogarinë në First Abu Dhabi Bank. Ai kishte të drejtë të kryente veprime në një llogari që ishte në pronësi dhe administrohej nga një fondacion bamirësie i Emirateve.
Kur MBZ dhe MBS nisën të kontribuonin në llogarinë Alpha në vitin 2017, fondacioni Watani Al Emarat, organizatë bamirësie e financuar nga qeveria e Emirateve, drejtohej nga Dherar Belhoul Al Falasi.
Al Falasi ishte teknokrat, anëtar i Këshillit Kombëtar Federal dhe mik i një prej këshilltarëve më të afërt të MBZ-së.
Por fondacioni Watani kishte edhe një funksion tjetër. Burimet e cituara në investigim thonë se organizata përdorej si mbulesë për të dërguar para që mbështesnin operacionet e fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së Emirateve jashtë vendit.
Një burim konfidencial me njohuri të drejtpërdrejta për programin e përhapjes së armëve të fondacionit tha se Al Falasi kishte ndihmuar në lehtësimin e programeve sekrete të Emirateve për blerjen e armëve.
Sipas burimit, emiratët mendonin se statusi bamirës i fondacionit do t’i bënte transaksionet e tij ndërkombëtare më pak të kontrolluara. Kështu, organizata ofronte një mbulesë të dobishme për financimin e luftërave të fshehta të MBZ-së dhe vëllait të tij.
MBZ dhe Tahnoon e autorizuan Kushnerin të vepronte në llogarinë Alpha të fondacionit Watani. Si person i autorizuar, ai mund të hynte në llogari dhe, në teori, të kryente transferta, ndonëse ajo nuk ishte zyrtarisht e tij. Roli i tij në këtë llogari mund të krahasohet me atë të drejtorit të CIA-s.
Nëse Kushneri do të drejtonte një institucion qeveritar që administronte programe të fshehta jashtë vendit, një llogari e tillë mund të ishte pjesë e detyrës së tij, për sa kohë që veprimtaria të miratohej nga presidenti dhe t’i raportohej Kongresit. Por ai nuk ishte drejtor i CIA-s. Për këtë post kërkohet miratimi i Senatit, ndërsa operacionet mbikëqyren nga Kongresi.
Në vend të kësaj, mbikëqyrësi i vetëm i Kushnerit ishte vjehrri i tij, Donald Trump. Katër zyrtarë të lartë të administratës Trump – dy këshilltarë për sigurinë kombëtare, një shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe një ish-drejtor i CIA-s – thanë se nuk dinin për ndonjë autorizim presidencial që i jepte qasje në një llogari bankare të një qeverie të huaj.
Avokati i Kushnerit, megjithatë, tha se klienti i tij nuk kishte bërë marrëveshje apo aranzhime me udhëheqës dhe zyrtarë të huaj pa miratimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe se çdo veprim ishte ndërmarrë në interesin më të mirë të SHBA-së.







