Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Vendimi ka nxitur reagimin e deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, i cili përmes një postimi në Facebook ka dalë në mbrojtje të ligjit të hartuar, sipas tij, pas konsultimeve të nevojshme dhe me kujdes të veçantë.
Të lidhura
None found
Gruda ka bërë të ditur se mbetet plotësisht pas përmbajtjes së këtij ligji dhe se nuk konsideron se në të ka ndonjë gabim.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, ka shkruar ai.
Në vijim, Gruda ka deklaruar se ligji është konsultuar me të gjithë personat dhe institucionet që duhej të përfshiheshin në këtë proces.
Ai ka theksuar se do ta mbështesë çdo pjesë të ligjit edhe në vazhdim, duke nënvizuar punën, përpjekjet dhe përgjegjësinë që, sipas tij, kanë shoqëruar hartimin e tij.
Deputeti ka thënë se do të kishte dashur që fokusi të ishte te zbatimi i ligjit dhe jo te rikthimi i debatit për përmbajtjen e tij. Megjithatë, nëse Kuvendi vendos ta rishqyrtojë, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet me përgjegjësi, argumente juridike dhe këmbëngulje për ruajtjen e thelbit të ligjit.
“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua”, ka shkruar Gruda, duke shtuar se hapat e ardhshëm duhet të çojnë drejt një drejtësie të pavarur që mbron luftën e drejtë çlirimtare, dhe jo të largojnë prej saj.
“Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, ka përfunduar ai.







