Kongresmeni amerikan Mike Lawler reagoi lidhur me protestat kundër qeverisë në Shqipëri, duke i kërkuar autoriteteve shqiptare të ulin pa vonesë tensionet dhe të ndalin përdorimin e forcës ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
Në një postim në rrjetin social X, Lawler bëri të ditur se ka marrë mesazhe shqetësuese nga zgjedhësit shqiptaro-amerikanë të distriktit të 17-të të Nju Jorkut. Sipas tij, ata janë të alarmuar nga situata në Shqipëri dhe pasojat që ajo mund të ketë për të ardhmen e demokracisë në vend.
Të lidhura
None found
Ai shprehu solidaritet me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe popullin shqiptar, duke theksuar se qytetarëve duhet t’u garantohet e drejta për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre. Kjo, sipas kongresmenit, vlen për çdo qeveri demokratike, e veçanërisht për vendet anëtare të NATO-s.
“Zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17 më kanë shprehur shqetësimin e thellë për protestat në Shqipëri dhe për ndikimin që zhvillimet mund të kenë në të ardhmen e demokracisë së vendit. Unë jam në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar”, shkroi Lawler.
Kongresmeni iu drejtua gjithashtu qeverisë shqiptare me kërkesën që të mos përdorë forcë ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht.
“Qytetarëve duhet t’u respektohet e drejta për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre nga çdo qeveri, sidomos nga demokracitë dhe aleatët e NATO-s. I kërkoj qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe të ndalë përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë”, përfundoi kongresmeni amerikan Mike Lawler.







