Ndeshja e madhe mes Barcelonës dhe Real Madridit do të luhet të dielën në orën 21:00, në javën e 10-të të La Ligës. Katalanasit e presin përballjen nga pozita e liderit me gjashtë pikë më shumë se madrilenët, por dëmtimet po ua vështirësojnë përgatitjet për El Clasicon.
Pas 11 fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet, Barcelona regjistroi humbjen e parë të sezonit, teksa u mposht 4-2 nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve. Krahas rezultatit zhgënjyes, tekniku Hansi Flick mori njoftime shqetësuese për gjendjen shëndetësore të disa lojtarëve.
Të lidhura
None found
Dani Olmo u largua me forcë nga loja në pushimin e pjesëve dhe parashikohet të mbetet jashtë rreth një muaj. Po ashtu, mbrojtësi i ri Xavi Espart shkaktoi shqetësim pasi u zëvendësua në Paris për një problem në kyçin e këmbës.
19-vjeçari Espart ka zhvilluar paraqitje pozitive këtë edicion dhe po merrte gjithnjë e më shumë hapësirë në formacion. Në sfidën ndaj PSG-së ai shënoi golin e dytë sezonal, ndërsa ka edhe dy pasime vendimtare.
Sidoqoftë, pjesëmarrja e tij në duelin e së dielës mbetet e pasigurt, sepse gjendja e tij po kontrollohet me analiza të mëtejshme.
Nëse Espart nuk arrin të luajë, kjo do të ishte një goditje shtesë për prapavijën e Barcelonës, e cila tashmë po vuan mungesat e Jules Kounde dhe Eric Garcias. Për pasojë, Hansi Flick mund të detyrohet të ndryshojë dukshëm mbrojtjen për sfidën më të rëndësishme të javës në Spanjë.
Megjithë krizën e dëmtimeve, Barcelona do të përpiqet të përfitojë nga diferenca prej gjashtë pikësh dhe të ruajë kreun e renditjes.
Në kampin tjetër, Real Madridi do të synojë fitoren për t’iu afruar dhe për t’i dhënë një goditje rivalit të përhershëm në luftën për titull.






