Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur lirimin e menjëhershëm të 11 personave të ndaluar gjatë protestave kundër qeverisë. Sipas vendimit, tetë prej arrestimeve janë cilësuar të paligjshme.
Në njoftimin zyrtar të publikuar më 22 tetor 2026, gjykata bën të ditur se ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë për ligjshmërinë e arrestimeve në flagrancë dhe për përcaktimin e masave të sigurisë ndaj personave nën hetim.
Të lidhura
None found
Mes 11 çështjeve të marra në shqyrtim, tri arrestime janë vlerësuar të ligjshme, ndërsa tetë të tjera jo. Për katër persona është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, kurse shtatë prej tyre janë lënë të lirë pa masë sigurimi.
Gjykata ka konstatuar se arrestimet e shtetasve me inicialet L. M., A. B., F. L., Dh. H., D. D., B. T., K. P. dhe E. B. nuk ishin të ligjshme. Megjithatë, për D. D., krahas konstatimit të paligjshmërisë së arrestimit, është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur”.
Për M. M., L. S. dhe E. G., arrestimet janë konsideruar të ligjshme, por ndaj tyre është vendosur vetëm detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.
Personat e hetuar dyshohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Kundërshtimi ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Sa i përket E. B., i dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë. Për të, arrestimi është shpallur i paligjshëm dhe është urdhëruar lirimi pa caktuar masë sigurimi.
Në përfundim, gjykata ka urdhëruar që të gjithë personat të lirohen menjëherë nga salla e gjyqit, përveç rasteve kur ata mbahen për një arsye tjetër ligjore.






