Egnatia përballë Aarhusit në transfertë, Nevil Dede mes ambicies për pikë dhe menaxhimit të grupit

Egnatia do të zbresë sonte në fushë ndaj Aarhusit, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë do ta zhvillojnë këtë përballje në transfertë, në stadiumin “Cepheus Park” të Danimarkës, duke nisur nga ora 21:00.

Për Egnatian, kjo përballje ka rëndësi të veçantë, pasi skuadra po përjeton për herë të parë një aventurë në këtë kompeticion. Synimi për të siguruar pikë është një motivim i fortë për futbollistët e drejtuar nga Nevil Dede, por kalendari i ngjeshur e vendos trajnerin përpara një situate që kërkon njëkohësisht përqendrim dhe kujdes.

Të lidhura

None found

FLUKS – Rrogozhinasit kanë një numër të madh ndeshjesh për të përballuar, ndërsa edhe alternativa në dispozicion të stafit teknik është e gjerë. Grupi është i plotë, me përjashtim të Bakayokos, rikthimi i të cilit vazhdon të vlerësohet nga stafi mjekësor. Ritmi i kalendarit kërkon përgatitje maksimale dhe intensitet të lartë, pasi pikët janë thelbësore për ecurinë e skuadrës. Për Deden, një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me përzgjedhjen e lojtarëve që do të aktivizohen, duke ruajtur njëkohësisht vigjilencën e nevojshme.

ALERT – Kujdesi mbetet i domosdoshëm në kampin e Egnatias. Lojtarët duhet të mbrohen nga mbingarkesa, ndërsa minutat e aktivizimit kërkojnë menaxhim sa më të saktë për të shmangur dëmtimet. Pavarësisht kësaj, objektivi i pikëve mbetet i qartë dhe i shtyn futbollistët të kërkojnë maksimumin, pa lëshuar asnjë pikë në dy frontet ku garojnë: Conference League dhe Superiore.

Kalendari i ngjeshur sjell përfitime, por edhe rreziqe. Përpjekja për të synuar gjithçka mund të shoqërohet me lënien e pikëve, vënien në dyshim të objektivave dhe dëmtime të mundshme. Këto janë shqetësimet që shoqërojnë Egnatian, ndërsa përballja me Aarhusin do të tregojë edhe një herë karakterin e një skuadre të ndërtuar për sukses.


Shtuar më 22.10.2026 16:51