FC Vushtrria po përballet me një krizë të thellë, e cila ka prekur rezultatet sportive, financat dhe organizimin e klubit.
Situata është përkeqësuar pas bojkotit të stërvitjes nga futbollistët, ndërsa tifozët kanë dalë hapur kundër drejtuesve dhe kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryesisë, të udhëhequr nga Rrahman Rama.
Të lidhura
None found
Përmes një komunikate publike, grupi i tifozëve “Forca” ka deklaruar se e mbështet vendimin e lojtarëve për të mos zhvilluar stërvitjen, duke e konsideruar atë të arsyeshëm në rrethanat e krijuara.
Tifozët kanë vlerësuar se vështirësitë financiare dhe zotimet e pambajtura nga drejtuesit e klubit e kanë çuar gjendjen në një nivel të papranueshëm.
“Është e papranueshme që një klub me historinë, traditën dhe emrin e FC Vushtrrisë të përballet me një situatë të tillë. Premtimet pa vepra nuk e çojnë klubin përpara, ndërsa pasojat e kësaj gjendjeje po i bartin futbollistët, stafi dhe mbi të gjitha vetë klubi”, thuhet në reagimin e tifozëve.
Sipas tyre, lojtarët duhet të trajtohen me respekt, të marrin pagat në kohë dhe të kenë kushte dinjitoze për ushtrimin e profesionit. Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë që përgjegjësia për situatën t’u ngarkohet drejtuesve të klubit.
Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryesisë, me Rrahman Ramën në krye.
“FC Vushtrria nuk është pronë private e askujt, por klub i qytetit, i tifozëve dhe i të gjithë atyre që e kanë mbajtur gjallë këtë emblemë ndër vite”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Problemet nuk janë të kufizuara vetëm te zhvillimet jashtë fushës. Në aspektin sportiv, Vushtrria renditet e fundit në tabelë, me vetëm tri pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve.
Në këto përballje, ekipi ka marrë një fitore dhe ka pësuar nëntë humbje, ndërsa ka shënuar pesë gola dhe ka pranuar 23.
Gjendjen e vështirë e shton edhe fakti që ndeshjet si vendas klubi po i luan jashtë qytetit, larg stadiumit dhe mjedisit ku zakonisht zhvillon aktivitetin.
Kombinimi i mungesës së kushteve të përshtatshme, rezultateve negative dhe vështirësive financiare po e rëndon gjithnjë e më shumë pozitën e klubit.
Bojkoti i futbollistëve dhe reagimi i “Forcës” kanë rritur presionin mbi drejtuesit e Vushtrrisë.
Tash mbetet për t’u parë nëse kryesia do t’u përgjigjet këtyre pakënaqësive dhe do të ndërmarrë masa konkrete për ta nxjerrë klubin nga kriza, apo nëse përplasjet do ta thellojnë edhe më tej situatën në këtë klub me traditë në futbollin kosovar.





