Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, i cili së fundmi ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit të majtë dhe në shputën e këmbës së djathtë.
Ademi ka ndarë në rrjetet sociale momente nga vizita, duke i dëshiruar futbollistit një proces sa më të mbarë rehabilitimi dhe rikthim të shpejtë e të fuqishëm në fushën e blertë.
Të lidhura
None found
Hajdari po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të problemeve fizike. Lëndimin e parë e pësoi gjatë grumbullimit të Kosovës në shtator, pas triumfit 1-0 ndaj Republikës së Irlandës në Ligën e Kombeve.
Për shkak të dëmtimit, ai nuk luajti në sfidën e radhës kundër Austrisë dhe u largua nga grumbullimi i përfaqësueses për të vijuar rikuperimin.
Teksa po synonte rikthimin në fushë, mbrojtësi 23-vjeçar u dëmtua sërish, këtë herë në shputën e këmbës, gjatë një seance stërvitore me Hoffenheimin, klubin e tij në Bundesligën gjermane.
Gjendja e Hajdarit përbën shqetësim edhe për Kombëtaren e Kosovës, e cila në nëntor do të luajë dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, përballë Izraelit dhe Republikës së Irlandës.




